Site icon Telegrafi

Osmani: Sulmi ndaj autobusit me nxënës është goditje ndaj sigurisë sonë, autorët të sillen para drejtësisë sa më parë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për sulmin me armë që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Gllogjan të Deçanit, ku të vdekur mbetën dy nxënës dhe shoferi i autobusit, ndërkaq një tjetër është plagosur.

Osmani përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar që sa më shpejt autorët të sillen para drejtësisë.

“Tronditës lajmi për aktin kriminal në Gllogjan, në të cilin sipas të dhënave aktuale kanë humbur jetën 3 persona dhe ka mbetur një i plagosur. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe uroj shërim të shpejtë për të lënduarin”, shkruan Osmani.

Lexo po ashtu Konfirmohen tre të vrarë nga të shtënat në autobus në Gllogjan, dy prej tyre nxënës

Tutje, ajo ftoi organet e rendit të zbulojnë sa më parë autorët e t’i sjellin ata para drejtësisë.

“Ftoj organet e rendit që sa më parë t`i zbulojnë autorët e krimit dhe t`i sjellin para drejtësisë. Sulmi ndaj autobusit me nxënës është goditje ndaj rendit e sigurisë sonë. Siguria e qytetarëve është prioritet, ndaj nuk do të zmbrapsemi në përmbushjen e këtij misioni”, shkruan Osmani.

Lexo po ashtu Gjuajtje me armë në Gllogjan të Deçanit, dyshohet për viktima

Ndryshe, tre persona kanë humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri në një autobus në Gllogjan të Deçanit i cili po barte nxënës.

Ngjarjen tragjike e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi. /Telegrafi/

Exit mobile version