Imami i Drenasit, Osman Musliu në “Personale” me Krenare Vokshi-Shala ka folur për zgjedhjet që po mbahen në Bashkësinë Islame të Kosovës.
Mulla Osmani ka hedhur akuza ndaj drejtuesve fetarë të Kosovës, duke i konsideruar ata si biznesmenë e jo si prijës fetarë, përcjell Telegrafi.
“Hoxha dhe prifti duhet të jenë të afërt me popullin dhe të depërtojë në familje e të ndihmojnë në zgjidhjen e halleve të tyre”.
Imami nga Drenasi akuzat më të mëdha i ka ndaj udhëheqësit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Ternava pasi që sipas tij ai po manipulon me zgjedhjet në këtë institucion.
Ai thotë se luftën e ka filluar para tetë vitesh ndaj atyre “që punojnë kundër Zotit e kundër kombit në emër të fesë e kombit”.
“Naim Tërnava e ka teprua shumë…Ai i ka degradue hoxhallarët me sistemin e zgjedhjeve në BIK. Modeli i tij nuk ekziston askund në botë dhe me të i ka futur në konflikte mes vete hoxhallarët”.
Musliu tregon se Bashkësia Islame e Kosovës ka shpallur zgjedhjet nga 13 janari deri më 13 shkurt.
Ai thotë se në Drenas e ka mundur Naim Tërnavën pasi nga gjashtë delegatë pesë prej tyre janë kundër modelit të tij e vetëm njëri e mbështet Tërnavën.
“Jam i sigurt se pikërisht atë do ta vendos kryetar të Këshillit në Drenas”.
Hoxha thotë se si mund të ketë konkurrencë të barabartë kur Komisionin Zgjedhor në BIK e emëron vet Naim Tërnava.
“Është njëjtë sikur të themi se Ramush Haradinaj ka emëruar anëtarët e KQZ-së. A mund të ketë zgjedhje të lira në këtë rast”, deklaron më tej anëtari i BIK-ut./RTV Dukagjini/