Site icon Telegrafi

ORCA me aksion simbolik para Rektoratit: Këshilli i Etikës për vite me radhë provoi me i shpërla plagjiatorët, ngacmuesit dhe shkelësit e tjerë të etikës

ORCA me aksion simboli /Foto: Ridvan Slivova/

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) sot ka mbajtur një aksion protestues kundër Këshillit të Etikës për rastin e profesorit Xhevat Krasniqi i cili dyshohet për ngacmim seksual të studentëve të UP-së.

Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se ORCA “përuroi” monumentin e Këshillit të Etikës në Universitetin e Prishtinës.

“ Sikur një lavatriçe e ndryshkur, e lodhet, e thyme, e zbrazët, që nuk mundet me i kry më funksionet e veta, që nuk lan por fëlliqë, njëjtë, edhe Këshilli i Etikës për vite me radhë provoi me i shpërla plagjiatorët, ngacmuesit dhe shkelësit e tjerë të Kodit Etik dhe integritetit akademik në Universitetin e Prishtinës”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Rasti i profesorit Krasniqi, sot sërish aksion protestues para rektoratit të UP-së

Në njoftim thuhet se: “Para dy vitesh në mënyrë absurde, Këshilli i Etikës u mundua t’i shpërlante Bujar Dugollin e Ardian Kastratin, të cilët nuk pati qare pa i quajt plagjiator siç i quajtëm ne kur i denoncuam, por a e dini si i pati dënuar? Ua ndaloi për dy vjet mentorimin e kandidatëve në master dhe doktoratë. Sot që po flasim kjo ndalesë pushon sepse kanë kaluar dy vjet, pra efektivisht Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati të dy plagjiator, vazhdojnë punën e tyne si të gjithë profesorët e tjerë të UP-së”.

Më poshtë lexoni njoftimin e plotë të ORCA-s:

Sot përuruam monumentin e Këshillit të Etikës në Universitetin e Prishtinës. Sikur një lavatriçe e ndryshkur, e lodht, e thyme, e zbrazët, që nuk mundet me i kry më funksionet e veta, që nuk lan por fëlliqë, njëjtë, edhe Këshilli i Etikës për vite me radhë provoi me i shpërla plagjiatorët, ngacmuesit dhe shkelësit e tjerë të Kodit Etik dhe integritetit akademik në Universitetin e Prishtinës.

Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta kujtu aktivitetin e Këshillit të Etikës përveçse përmes kësaj lavatriçe. Sepse ai u mundu si një lavatriçe, me i shpërla të ndytët që e ndysin reputacionin e Universitetit të Prishtinës. Provoi, por në fakt, veç i fëlliqi.

Para dy vitesh në mënyrë absurde, Këshilli i Etikës u mundua t’i shpërlante Bujar Dugollin e Ardian Kastratin, të cilët nuk pati qare pa i quajt plagjiator siç i quajtëm ne kur i denoncuam, por a e dini si i pati dënuar? Ua ndaloi për dy vjet mentorimin e kandidatëve në master dhe doktoratë. Sot që po flasim kjo ndalesë pushon sepse kanë kaluar dy vjet, pra efektivisht Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati të dy plagjiator, vazhdojnë punën e tyne si të gjithë profesorët e tjerë të UP-së.

Nuk vonoi shumë, para disa muajsh të denoncuarin për plagjiaturë nga ne, Ilir Tolajn, u munduan ta shpërlanin. I caktoi “ekspertë” dy bashkë autor të tij në punime të ndryshme të cilët paturpësisht konstatuan se citimet, referencat dhe fusnotat ishin në rregull, paçka se edhe citimet, edhe referencat edhe fusnotat ishin kopju nga autori i huaj. Pra e vërtetë është që ato ishin në rregull, sepse autori i huaj nga i cili ishin kopjuar e kishte bërë mirë punën e tij, por problemi ishte se e tërë puna e tij ishte vjedhur e kopjuar. Ekspertët duheshin tregu a janë kopju pjesët e denoncuara, e jo a janë në rregull. Këshilli i Etikës para këtij raporti skandaloz e luajti toshën dhe u bë sikur nuk e kuptonte argumentin e denoncimit të bërë nga ne dhe provuan ta bënin lavatriçen e loght, por pa sukses. Ne jemi ORCA, ne nuk jemi një organizatë që bën një denoncim e vazhdon me projekte të tjera. Ne do ta ndjekim me vendosmëri secilin rast deri në fund.

Për plagjiatorin tjetër, i cili është në krye të universitetit (në mënyrë absurde në Këshillin Drejtues), plagjiatorin Selim Bezeraj, lavatriçja po mundohet ta luajë budallën, duke u arsyetu që meqë plagjiatura e tij ka ndodhë në Universitetin e Tiranës, lavatriçja nuk paska mundësi të marrë vendim për të. Njerëz pa fije turpi, pa fije integriteti personal e moral, që ndytësisht shërbejnë si lavatriçe, mendojnë se na e hedhin me arsyetime banale si këto.

Ditëve të fundit lavatriçja e ndryshkur e UP-së, pasi shkaktoi dramë nacionale duke mos marrë vendim për përjashtim të ngacmuesit kronik e masiv Xhevat Krasniqit, i cili u denoncua nga 27 studentë e studente, u mundua ta çojë në gjyqësorin joefikas të Kosovës rastin për ta përfunduar si procedurë në UP. Lavtriçja harron se nuk ka të bëjë me mediokrët të cilëve u shërben në Universitetin e Prishtinës, mendoi se ne të gjithë jemi budallenj dhe nuk e kuptojmë që ka shkelur rregulloren e cila në mënyrë tekstuale thotë të kundërtën e veprimit të Lavatriçes dhe majstorit të saj rektorit Qerim Qerimi. Neni 11, pika 7 e Rregullores në fjalë e thotë tekstualisht që “Universiteti i Prishtinës do të zbatojë masat dhe procedurat disiplinore për rastet e ngacmimit dhe ngacmimit seksual, pavarësisht nga zhvillimi i procedurës penale për rastin e njëjtë”.

Transformimi i moralit shoqëror fillon në Universitetin më të madh të saj. Është detyrë e Universitetit që i pari ta krijojë një atmosferë lirie e barazie për vajzat dhe gratë, që do të përcillej me emancipim gjithë shoqëror. Vrasjet e grave janë kulmi i problemit që fillon me ngacmimin seksual në shoqërinë tonë. Kush e lejon dhe përkrah ngacmimin seksual, e përkrah vrasjen e grave. Prandaj edhe Qeveria duhet qartë dhe pa metafora të përcaktohet nëse është në krah të grave dhe vajzave duke marrë veprime konkrete për të mos lejuar Universitetin të shkojë në një drejtim të errët, e të mos derdhë lot krokodili në rrjete sociale sa herë që gratë vriten mizorisht.

Duam ta sigurojmë Qerim Qerimin, Altin Sahitin, Iset Morinën, dhe Qeverinë e Kosovës, se ashtu si vlente në Qeveritë e kaluara, Universiteti i Prishtinës, është vija jonë e kuqe për të cilën do t’i rikthejmë protestat, bllokimin dhe grevat dhe çdo mjet tjetër për të mos e lejuar shkatërrimin e tij. /Telegrafi/

ORCA me aksion simboli para Rektoratit /Foto: Ridvan Slivova/
ORCA me aksion simboli para Rektoratit /Foto: Ridvan Slivova/
Exit mobile version