Site icon Telegrafi

Operacioni i gjerë i agjencive evropiane godet bandën shqiptare të kokainës, 45 të arrestuar

Europol ka njoftuar përmbylljen e një operacioni ndërkombëtar që përfshin autoritetet gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit në tetë vende, duke zbuluar një prej rrjeteve më aktive të trafikut të kokainës të kontrolluar nga shqiptarët në Evropë.

Eurojust dhe Europol mbështetën një sërë aksionesh të kryera në Belgjikë dhe Spanjë, gjatë të cilave u kontrolluan mbi 80 vendndodhje dhe u arrestuan 45 të dyshuar.

Të arrestuarit dyshohet se importonin kokainë nga Amerika Latine në porte të ndryshme evropiane, duke organizuar transportin nëpërmjet avionëve, anijeve, makinave dhe kamionëve dhe drejtonin tregtinë me shumicë.

Spanja dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së përdoreshin për të pastruar paratë e fituara nga tregtia e paligjshme.

Lexo po ashtu Goditet banda kriminale shqiptare në Belgjikë, 30 të arrestuar

Mbi 600 oficerë të zbatimit të ligjit në bashkëpunim të ngushtë me prokurorët dhe oficerët hetues kryen bastisje ndaj anëtarëve të këtij rrjeti në Spanjë dhe Belgjikë. Një sërë aksionesh paralele u zhvilluan edhe në Kroaci, Gjermani, Itali dhe Holandë.

Operacioni i koordinuar në nivel ndërkombëtar nga Europol dhe Eurojust ishte kurorëzimi i shumë muajve të planifikimit midis organeve të zbatimit të ligjit dhe autoriteteve gjyqësore në përgatitjen e aksionit.

Një ekip i përbashkët hetimor u krijua midis Belgjikës dhe Spanjës vitin e kaluar, me ndihmën e Eurojust dhe Europol.

Hetimet në Spanjë nisën në vitin 2018, me arrestimin e një anëtari të lartë të grupit të krimit të organizuar, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim.

Ndërkohë, hetimet në Belgjikë nisën pas sekuestrimit në shtator të vitit 2020 të sasive të drogës dhe kimikateve që përdoreshin për transformimin dhe ruajtjen e kokainës për qëllime tregtare.

Sasi të mëdha kokaine të kapur gjatë kontrolleve të ndryshme në të gjithë Evropën gjatë viteve të fundit lidhen me të dyshuarit.

Ky rrjet kriminal i nivelit të lartë kishte krijuar një sërë ndërmarrjesh në vende të ndryshme për të pastruar fitimet, duke përfshirë Kroacinë dhe Spanjën.

Anëtarët e organizatës udhëtonin rregullisht në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi për të rregulluar biznesin e tyre të paligjshëm dhe përdornin mjete komunikimi të koduara për të koordinuar aktivitetet. /Telegrafi/

Exit mobile version