Site icon Telegrafi

OKB: Pandemia COVID-19 mund të shkaktojë emergjencë botërore të ushqimit

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka paralajmëruar për “emergjencë botërore të ushqimit në të ardhmen”.

Sipas tij, kjo do të ndodh për shkak të kombinimit të varfërisë ekstreme dhe pandemisë COVID-19.

“Sistemet tona të ushqimit janë duke dështuar dhe pandemia me COVID-19 është duke përkeqësuar gjërat”, ka thënë Guterres.

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar që më shumë se 820 milionë persona në gjithë botën janë të uritur, derisa 144 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare nuk rriten si duhet.

Ai ka paralajmëruar se rreth 49 milionë persona mund të përballen me varfëri ekstreme këtë vit për shkak të pandemisë.

“Nëse nuk merren hapa të menjëhershëm, është krejtësisht e qartë se do të ketë një emergjencë botërore me ushqim në një të ardhme të afërt, e cila mund të ketë ndikim afatgjatë në qindra miliona fëmijë dhe të rritur”, ka thënë ai.

Banka Botërore ka vlerësuar më 8 qershor se 71 milionë deri në 100 milionë njerëz do të përballen me varfëri ekstreme për shkak të pandemisë.

Guterres ka bërë thirrje për mbrojtje më të mirë të punëtorëve në sektorin e ushqimit, për më shumë mbështetje për prodhuesit e ushqimit dhe për shmangie të pengesave në zinxhirin e transportit, në mënyrë që të dërgohet ndihma humanitare tek ata që kanë nevojë. /REL/

Exit mobile version