Site icon Telegrafi

Numër i lartë i sulmeve ndaj policisë në Kosovë – sindikata thotë se po cenohet rendi kushtetues

Foto: Ilustrim

Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, 33  zyrtarë të instituconeve në Kosovë- shumica prej tyre zyrtarë policorë që janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. 

Kështu thotë në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, duke shtuar se rastet e shumta të sulmeve ndaj policëve bëhen kryesisht për shkak se shkelësit e ligjit nuk pajtohen për sanksionimin e veprave të tyre.

“Në databazën e Policisë, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, janë të evidencuar  33 raste të zyrtarëve të sulmuar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, këtu janë të përfshirë të gjithë zyrtarët e të gjitha institucioneve, kurse shumica e tyre janë zyrtarë policorë”, deklaron Zeqiri.

“Rastet e shumta të sulmeve të zyrtarëve policorë janë të shpeshta dhe kryesisht bëhen për arsye se të gjithë shkelësit apo kundërvajtësit e ligjit nuk janë të kënaqur me shqiptimin apo sanksionimin për veprimet e tyre. Po ashtu veprimet toleruese të organeve të drejtësisë ndaj kryeseve të veprave penale “Sulm ndaj peronit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” apo të ngjashme”.

Ai i quan të papranueshme, të kundërligjshme dhe cenim ndaj rendit kushtetues të gjitha rastet e sulmeve ndaj zyrtarëve policorë, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare apo që lidhen me punën zyrtare.

Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës

Se policët në Kosovë janë në rrezik për jetën e tregojnë edhe të dhënat e Policisë së Kosovës. 21 është numri i atyre që kanë rënë në detyrë që nga paslufta.

Ndërsa, sa i përket lëndimeve gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, policia njofton se në vitin 2021 janë gjithsej 208, ndërsa në gjashtëmujorin e vitit 2022 janë 116.

“Sa i përket rasteve të lëndimeve në detyrë të punonjësve të PK-së, këtu përfshihen edhe lëndimet aksidentale në detyrë, në trafik  (jo vetëm nga rastet e sulmeve në detyrë)”, thuhet në përgjigjen e tyre për Telegrafin.

Së fundmi – dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë mbetur të plagosur, njëri nga arma e zjarrit e tjetri i lënduar nga mjetet e forta, si pasojë e një përleshje që ka ndodhur në Skenderaj.

Në këtë rast dyshohet se i përfshirë është ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe disa nga familjarët e tij.

Ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku

Ndaj, Gjykata Themelore në Mitrovicë të hënën ua ka caktuar masën e paraburgimit ish-nënkryetarit Lushtaku edhe dy vëllezërve të tij, Arif dhe Faton Lushtakut, të dyshuar për sulm ndaj zyrtarëve policorë.

Nuredin Lushtaku në fjalën e tij para gjykatës ka thënë se ky rast është i montuar kundër tij dhe familjes se tij.

“Rrethanat e këtij rasti konsideroj se janë të montuara kundër meje dhe familjes time”, tha Lushtaku.

Ai tha se duke i dëgjuar fjalët e prokurorisë e çudit fakti se si polici po bëhet viktimë nga prokuroria.

“Me sa unë e di i kanë edhe dy mjete të tjera ose tri, nëse e sheh që po rrezikohet prej masës ose prej dikujt, e fundit është mundësia e përdorimit të armës, nga policët e tjerë e kam parë që kanë përdorë sprej, çka kish ndodhë nëse edhe ata të gjithë i kishin nxjerrë revolet dhe na kishin drejtua neve, kur është nxjerrë revolja ne jemi tut që po vrahemi, pasi që ka gjuajt polici me revole, secili veprim ka qenë i ndikuar nga frika e të shtënave, dhe për me ja hekë revolen mos me vra dikon”, është shprehur Lushtaku në gjykatë.

Ai ka shtuar se askush nuk ka nevojë të ketë frikë prej tyre, as policia dhe as prokuroria.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili e quajti të patolerueshëm ligjërisht e moralisht sulmin ndaj zyrtarëve policorë në Skenderaj.

Në një postim në Facebook, Sveçla të dielën shkroi se sulmi ishte i paprovokuar dhe i rëndë ndaj policisë, derisa tha se policët në ushtrimin e detyrave publike “duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar”.

“Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e Republikës”, tha ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Jo më larg se para tre muajve, pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri u përballën me sulme të njëpasnjëshme. Nga 13-26 prill ata u sulmuan për gjashtë herë radhazi.

Persona të panjohur qëlluan kundër automjeteve të policisë me armë automatike, AK 47 e granata dore. Po ashtu, u vendosën iriqë metalik në rrugë dhe mjete tjera të forta. Lëndime në njerëz nuk ka pasur, vetëm dëmeve materiale.

Lidhur me këto sulme autoritetet në Kosovë thanë se janë duke zhvilluar hetime intensive, por ende nuk dihet nëse ka persona të arrestuar apo të dyshuar. /Telegrafi/

 

Exit mobile version