Për më shumë së një muaj qëndroi i hapur konkursi për drejtor të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, dhe për gjatë kësaj kohe nuk u paraqit asnjë kandidat për këtë pozitë.
Kësisoj, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës njoftoi para disa ditësh për anulimin e këtij konkursi, transmeton Telegrafi.
Konkursi që u hap më datën 9 shkurt, u anulu më datën 15 mars.
“Për shkak se nuk është paraqitur asnjë kandidat, anulohet pjesërisht Konkursi Publik me nr. 496 i datës 09.02.2024, pozita nr. 1. Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e bërë nga SHSKUK.
Përveç kritereve të përgjithshme ( Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës; të ketë zotësI të plotë veprimi, sipas legjislacionit në fuqi, të zotërojë të paktën njërën nga gjuhët zyrtare, në pajtim me Ligjin për Gjuhët, të jetë e/i aftë për të kryer detyrën përkatëse; të mos i jetë e/i dënuar për kryerjen e veprës penale me dashe (vërtetim nga gjykata), të mos ketë në fuqi masa disiplinore për shkelje të rëndë në institucionet publik), SHSKUK kishte njoftuar edhe për kriteret e kërkuara për këtë pozitë.
Por cilat ishin kriteret e kërkuara nga SHSKUK për këtë pozitë?
– Të këtë arsim të lartë universitar: shkencat mjekësore, juridik, ekonomik dhe administratë publike, diploma me të paktën 240 Kredi/ECTS(kopja e diplomës);
– të ketë të paktën 4 vite përvojë pune profesionale, prej tyre 2 vite në pozita udhëheqëse (vërtetim nga punëdhënësi dhe pasqyrën nga Trusti);
– shkathtësi në përcaktimin dhe arritjen e objektivave strategjike:
– njohje e mirë e sistemit shëndetësor dhe organizimit të punës në institucionet e kujdesit shëndetësor;
– njohuri e legjislacionit në përgjithësi dhe të atij në fushën e shëndetësisë në veçanti;
– njohuri në fushën e menaxhimit të financave publike;
– aftësi të mira komunikuese në të folur dhe në të shkruar;
– aftësi për punë ekipore;
– njohje e punës me kompjuter (Word, Exel etj)
Ndryshe, para pesë muajsh, Luljeta Buçinca – Zhubi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e drejtoreshës në ketë spital.
“Arsyeja e dorëheqjes nga pozita e drejtorit të spitalit është përkushtimi si infektologe e vetme regjionale”, kishte thënë ajo për Telegrafin.
Pas saj, dorëheqje nga pozitat udhëheqëse kishin dhënë edhe disa zyrtarë shëndetësorë me arsyen se nuk kanë mundur të ushtrojnë kompetencat e tyre në mënyrë të pavarur./Telegrafi/