Site icon Telegrafi

Nuk respektohet paralajmërimi i policisë për parkim në trotuare, fëmijët detyrohen të ecin nëpër rrugë (Video)

Edhe pse Policia e Kosovës ka marrë vendim për të gjobitur qytetarët të cilët parkojnë veturat e tyre në trotuare, një paralajmërim i tillë duket se nuk ka ndikuar tek shoferët.

Kjo pasi që, së paku sipas një videoje të dërguar nga qytetarët në adresë të Telegrafi.com, shihen fëmijët teksa janë të detyruar që të kalojnë në rrugë për shkak të parkimit të veturave në trotuare.

Në lidhje me këtë, zëdhënësja për informim në Policinë e Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, në një prononcim për Telegrafin ka  treguar se deri më tash janë shqiptuar 401 gjoba, kryesisht në qendër të qytetit.

Lexo po ashtu Policia merr masa për veturat që parkohen në trotuare, 400 gjoba nga 10 qershori (Video)

Ajo tha se plani operativ është duke vazhduar.

“Implementimi i  planit operativ, i paraparë për lirimin  e trotuareve nga parkimet e ndaluara, ka filluar nga data 10 qershor. Që nga fillimi i implementimit deri tani janë shqiptuar 401 gjoba për parkime ilegale, kryesisht në qendër të qytetit. Plani operativ  është duke vazhduar”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti po ashtu apelon tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë me përpikëri normat dhe rregullat, sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

“Duke ju rikujtuar se qëllimi ynë nuk është ndëshkimi, apelojmë te të gjithë drejtuesit e automjeteve, që të zbatojnë me përpikëri normat dhe rregullat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor”, theksoi ajo.

Lexo po ashtu Lajmëron policia: Nga 10 qershori të gjithë ata që parkojnë veturat në trotuare do të gjobiten

Ndryshe, sipas një njoftimi të Policisë, njësitet policore të stacioneve të Prishtinës, në vazhdën e intensifikimit të punës, mbi forcimin dhe disiplinimin e pjesëmarrësve në komunikacion , me synim rritjen e sigurisë rrugore, si dhe menaxhimin sa më profesional të trafikut në kryeqytet, kanë ndërmarrë një sërë masash operative.

“Masa të shumta ndëshkuese (gjoba dhe konfiskime), janë ndërmarrë si në drejtim të përballimit të fluksit të lëvizjes së mjeteve, ashtu edhe ne përballimin e lëvizjes së këmbësorëve, në qytet ashtu edhe jashtë tij. Mirëpo duke e parë se ka një numër të konsiderueshëm të kundërvajtësve, të cilët nuk respektojnë shenjat e trafikut për ndalim parkimi, si dhe bazuar në ankesat e qytetarëve për bllokimin e trotuareve në qytet, njësitet policore të stacioneve të Prishtinë, që nga data 10/06/2019, do të fillojnë implementimin e planit operativ, ekskluzivisht i paraparë për pastrimin e trotuareve nga parkimet e ndaluara. Plani do të ketë shtrirje në të gjithë hapësirën rrugore të kryeqytetit dhe toleranca për kundërvajtësit do të jetë zero”, thuhet në njoftimin për media. /Telegrafi/

 

Exit mobile version