Përfaqësuesi i Alphonso Davies, Nedal Huoseh ka dhënë një intervistë ekskluzive për Fabrizio Romano, ku është ndjerë “krenar” për lidhjet e mbrojtësit kanadez me Los Blancos.
Davies është lidhur me një transferim te Real Madridi dhe përfaqësuesi i mbrojtësit të Bayern Munichut është përkujdesur t’i hedh edhe më shumë benzinë zjarrit.
“Real Madridi është një klub i madh. Unë kam qenë gjithmonë një tifoz i tyre dhe të dëgjosh se ata janë të interesuar për një sportist që ti përfaqëson, të bën të ndihesh krenar”, ka thënë fillimisht Huoseh.
“Unë nuk dua ta përbuz Bayernin. Ka pesë klube të mëdha në botë dhe Bayern është një prej tyre. Por Real Madridi është një emër i madh, një markë e madhe, 14 herë kampionë…”, shtoi ai përpara se të fliste për interesimin rreth lojtarit.
“Asgjë konkrete nuk ka ndodhur me askënd. Tani për tani, fokusi ynë është të zgjidhim gjërat me Bayernin, të shohim se çfarë po ndodh atje”.
Një kontratë deri në vitin 2025
Agjenti i futbollistit pranon se rinovimi i kontratës aktuale që lidh Davies, 22 vjeç, me Bayernin deri në vitin 2025 është pezull.
“Kemi ende dy vjet me Bayernin. Ne i japim vetes kohë për të parë se si do të shkojnë gjërat në javët dhe muajt e ardhshëm”.
“Ne ende nuk e kemi marrë vendimin”, përfundoi agjenti i Davies. /Telegrafi/