Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës do ta ushtrojë edhe detyrën e Presidentit të Kosovës deri në zgjedhjen e këtij të fundit nga Parlamenti i Kosovës.
5 maji është data e fundit kur do të duhej të zgjedhet presidenti i ri i Kosovës. Nëse kjo datë e gjen Kosovën pa president vendi duhet të shkojë përsëri në zgjedhje parlamentare.
Yll Zekaj nga IKD thotë se kur Kuvendi i ri do të konstituohet, vendin e ushtruesit të Presidentit do ta merr kryekuvendari i ri.
“Me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, sipas kushtetutës ai e merr edhe pozitën e ushtruesit të detyrës së presidentit në një periudhë deri në gjashtë muaj e që në këtë rast përfundon me 5 maj”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Yll Zekaj.
I të njëjtit mendim është edhe profesori i të drejtës penale Ismet Salihu, përcjell Telegrafi.
“Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryetarit ose kryetares së Kuvendit, ai/ajo do ta merr mandatin e presidentit pasi nuk është në detyrë presidenti i zgjedhur”, deklaroi Ismet Salihu.
Nëse është e nevojshme profesori Salihu thotë se do të ishte mirë të ketë një dorëzim-pranim të detyrës.
Pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes pas dorëheqjes së Hashim Thaçit po e bartë Vjosa Osmani./Telegrafi/