Site icon Telegrafi

Njeriu që ishte kundër vaksinave të coronavirusit, Senati e voton për Sekretar të Shëndetit

Senati miratoi Robert F. Kennedy Jr. si Sekretar të Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore.

Kjo ishte një fitore për presidentin amerikan, Donald Trump pasi Kennedy u përball me një vlerësim të thellë për pikëpamjet kundërthënëse mbi vaksinat dhe politikën e shëndetit publik.

Lexo po ashtu Kandidati për president amerikan thotë se krimbi hyri në trurin tim dhe hëngri një pjesë të tij

Votimi ishte 52-48. Ish-lideri i Partisë Republikane në Senat, Mitch McConnell, ishte i vetmi që votoi kundër konfirmimit të Kennedyt, shkruan cnn.

Votimi për konfirmimin thekson masën e ndikimit të Trumpit mbi shumicën e Senatit të Partisë Republikane, pasi një grup kandidatësh të diskutueshëm që u përballën me pyetje nëse mund të konfirmoheshin – përfshirë Kennedyn, Pete Hegsethit, si Sekretar Mbrojtjeje dhe Tulsi Gabbard si drejtoreshë e Shërbimit të Inteligjencës Kombëtare – u miratuan nga republikanët e Senatit për pozita të larta në administratën e Trumpit.

Kennedy tani do të shërbejë si një nga zyrtarët kryesorë të shëndetit publik të kombit amerikan. Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore i SHBA-së, të cilin Kennedy do ta drejtojë, përfshin disa agjenci federale kyçe të shëndetit, përfshirë Administratën e Ushqimit dhe Medikamentit, Institucionet Kombëtare të Shëndetit, Qendrat për Shërbimet Medicare dhe Medicaid, dhe Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Gjatë dëgjimeve për konfirmim në Capitol Hill, Kennedy mohoi se ishte anti-vaksinë, duke u thënë senatorëve se ai është “pro-siguri”.

Ai vazhdoi të thoshte se “unë besoj se vaksinat luajnë një rol të rëndësishëm në kujdesin shëndetësor.”

Nuk është hera e parë që Kennedy thotë se nuk është “anti-vaksinë”, por një verifikim i fakteve nga CNN në vitin 2023 theksoi se, përkundër këtyre pohimeve, Kennedy ka qenë një nga aktivistët më të shquar kundër vaksinave në vend dhe ka përdorur pohime të rreme dhe mashtruese për të minuar besimin publik në vaksinat që janë vërtet të sigurta. /Telegrafi/

Exit mobile version