Sëmundja infektive Antraks është gjetur në disa bagëti të gjetura të ngordhura në një park natyror në juglindje të kryeqytetit kroat të Zagrebit, thanë autoritetet të shtunën.
Autoritetet kanë kryer teste në kufomat e kafshëve pas raportimeve se bagëtia kishte zhvilluar simptoma neurologjike, tha Ministria e Bujqësisë.
Ata thanë se po merren të gjitha masat për të frenuar shpërthimin në Lonjsko Polje, një fushë e përmbytur pranë lumit Sava e njohur për mjedisin e saj unik, transmeton Telegrafi.
Televizioni shtetëror HRT raportoi se katër persona gjithashtu janë shtruar në spital me simptoma të lehta, të lidhura me lëkurën. Raporti thotë se 107 bagëti kanë ngordhur në dy javët e fundit.
“Mund të themi se rasti është nën kontroll të plotë dhe nuk ka vend për panik”, tha zyrtari lokal i shëndetit publik, Inoslav Brkiq.
Antraksi shkaktohet nga sporet bakteriale që mund të qëndrojnë të fjetura në tokë derisa të aktivizohen nga shiu i madh, përmbytjet ose thatësira. Mund të shkaktojë humbjen e shpejtë të një numri të madh kafshësh në një kohë të shkurtër. Kafshët e infektuara shpesh ngordhin ende pa u zbuluar sëmundja.
Antraksi përhapet rrallë te njerëzit dhe pothuajse kurrë nuk transmetohet nga personi në person. Rreth 95 për qind e të gjitha rasteve njerëzore të antraksit janë rezultat i kontaktit të lëkurës me kafshë të infektuara. Mund të trajtohet me antibiotikë, por mund të jetë fatale te njerëzit nëse nuk trajtohet. /Telegrafi/