Poezi nga: Charles Baudelaire
Përktheu: Durim Taçi
Rruga shurdhuese përreth meje ulërin.
Shtatlartë, në zi, me dhimbje t’madhërishme,
Një grua ecën aty përbri, ngre dorën e fisme
Dantellën prek, pal’e fustanit fëshfërin;
Këmbët prej statuje e shtatin lastar, drejt.
Kaloi kur unë po pija, shkujdesur, si azgan,
Në syn’ e saj qielli mavi, lajmëroi një uragan
Ëmbëlsinë që magjeps e harenë që vret.
Vetëtimë… pastaj natë! Bukuri që të ikën
Vështrimi i saj më ringjalli fill si burrë,
Vallë, do t’ua shoh më këtyre syve dritën?
Gjetiu, mbase, larg! shumë vonë! o kurrë!
Nuk di nga shkoi, as ajo për mua nuk do e dinte,
Veç, do e doja përgjithmonë, ndjeva që e kuptoi në ikje!