Site icon Telegrafi

Një çift vodhi nga një restorant në Spanjë, 45 shishe verë me vlerë 1.6 milionë euro

Një grua meksikane dhe i dashuri i saj, shtetas rumuno-holandez, vodhën 45 shishe verë nga restoranti i famshëm Atrio në Caceres, në perëndim të Spanjës, për të cilat u dënuan me katër vjet burg. Vlera e verërave kap shumën e 1.6 milion eurove.

Vjedhja ndodhi më 27 tetor 2021 dhe ishte planifikuar “deri në detajet më të vogla”, thanë oficerët e policisë, transmeton Telegrafi.

Ata i mbështjellën shishet e verës në peshqirët e hotelit për t’i parandaluar ato të thyheshin dhe i fshehën në çanta udhëtimi, thuhet në dokumentet e gjykatës, raporton CNN.

Në po të njëjta dokumente thuhet se ata vodhën dy shishe nga veraria franceze Chateau d’Yquem, njëra e vitit 1806, e cila ishte e listuar në menunë e verërave të Atrio, me vlerë 350 mijë euro dhe tjetra e vitit 1883, me vlerë 45 mijë euro.

Sipas detajeve të detajuara në vendimin e një paneli prej tre gjyqtarësh të gjykatës provinciale në Caceres, shumë shishe të tjera ishin nga veraritë e njohura të prodhuara gjatë viteve 1990 dhe 2000.

Një zëdhënës i gjykatës tha se emri i çiftit nuk mund të përmendet për arsye të privatësisë. Çifti e vizitoi restorantin tre herë brenda një muaji, para se të kryente vjedhjen. Natën e vjedhjes, gruaja u regjistrua në hotelin e vogël luksoz Atrio, duke përdorur një pasaportë të rreme zvicerane.

Gjykata e dënoi gruan me katër vjet burg dhe burrin me katër vjet e gjysmë për vjedhje. Ata gjithashtu u urdhëruan të paguajnë 753 mijë euro si dëmshpërblim. /Telegrafi/

 

Exit mobile version