Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, së bashku me përfaqësues të Nismës Thurje depozituan sot në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që pengon privatizimin e plazheve në vend.
Nisma, e cila është firmosur edhe nga 10 mijë qytetarë synon kthimin e plazheve 100 për qind publike.
“Mendoj se kjo është një nismë që do t’u kthejë dinjitetin plazheve publike dhe do t’u kthejë shqiptarëve pronën e tyre. Kjo është nisur nga përvoja e vendeve europiane, ju sjell shembullin e Holandës ku nuk ka 1 metër katror plazh privat. Është rregulluar në mënyrë të atillë që edhe shteti të fitojë, edhe privati të fitojë”, tha Açka.
Endri Shabani, nga Nisma Thurje, tha se peticionin për projektligjin, e kanë firmosur 10 mijë shqiptarë.
“Ata kërkojnë të drejtën të shijojnë bukuritë e vendit të tyre, kërkojnë që ata dhe fëmijët e tyre të kenë mundësi që të bëjnë pushimet në Shqipëri. Sot shqiptari nuk ka nevojë për vizë për të shkuar në Gjermani, por ka tra për të shkuar në plazhet shqiptare”, tha ai.
“Ky projektligj kërkon të rregullojë që duke e bërë plazhin të aksesueshëm për të gjithë, fitojnë të gjithë, shqiptarët, biznesi dhe shteti. Humbasin ata që paguajnë lekë nën dorë për të marrë lejet e shezlongëve, por për ata nuk na vjen keq fare”, tha Pano Soko. /Telegrafi/