Grafite me emërtimin e grupit paramilitar rus “Wagner” janë vendosur në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan.
Lidhur me këtë, Policia e Kosovës ka thënë se njësiti policor i hetimeve po merret me rastin.
Sipas policisë në veri të Mitrovicës grafitet janë shkruar në mure të objekteve nga disa persona të panjohur.
“Mitrovicë Veri 22.01.2023 – NN. Është raportuar se në mure të objekteve nga persona deri më tani të panjohur, janë shkruar mbishkrime me ngjyrë të kuqe “WAGNER”. Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq në Zveçan, grafitet janë vendosur në tabelat e komunikacionit.
“Zveçan 22/23.01.2023 – NN. Është raportuar se në tabelat e komunikacionit nga persona deri më tani të panjohur, janë shkruar mbishkrime “WAGNER”. Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar”, njofton policia.
Policia të dyja rastet i ka cilësuar si “Nxitje e urrejtjes dhe përçarjes ndëretnike”.
Kujtojmë se gjatë barrikadave në veri të Kosovës, të cilat ishin ngritur nga serbët vendas në organizimin e grupeve kriminale dhe Beogradit, kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarët e grupit “Wagner”.
Aktivitetet e grupit “Wagner” janë vënë sërish në qendër të vëmendjes së publikut botëror pas pushtimit rus të Ukrainës.
SHBA javën e ardhshme do të vendosë sanksione shtesë ndaj organizatës ushtarake private ruse “Wagner Group”, e cila, siç theksojnë zyrtarët amerikanë, ofron mbështetje për ushtrinë ruse në luftën në Ukrainë, njoftoi të premten Shtëpia e Bardhë. /Telegrafi/