Në Gjykatën Themelorë në Prishtinë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër dy personave, ish-pjesëtarë të forcave policore serbe, për veprat penale “Krime të luftës kundër popullatës civile”.
Sipas njoftimi të Prokurorisë Speciale të Kosovës, personi me inicialet Z.K gjatë datës 26 mars të vitit 1999 në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, ka marrë pjesë direkte në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptarë konkretisht të nëntëmbëdhjetë (19) anëtarëve të një familje që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.
Ndërsa, personi me inicialet D.SH më 01 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policorë, i armatosur me armë automatike, me qellim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pa jetë të O.N., B.N., A.N., B.N dhe I.R, të vrarë nga forcat policore dhe paramilitare serbe, ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.
“I pandehuri, Z.K., gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtarë i forcave policore serbe, ka shkelur rëndë rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare kundër personave civil dhe pasurisë, konkretisht rregullat e luftës të përcaktuara me Konventat e Gjenevës të datës 12 Gusht të vitit 1949 dhe Protokollet Shtesë. Ndërkaq, i pandehuri D.Sh., gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtarë i forcave policore serbe, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave civil, respektivisht nenin 130 të Konventës së Katërt (IV) të Gjenevës të datës 12 Gusht 1949 në ndërlidhje me Protokollet Shtesë për katër Konventat e Gjenevës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës. /Telegrafi/