Të dielën e 24 shtatorit në një sulm terrorist që u krye nga një grup i armatosur ndaj Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë, mbeti i vrarë rreshteri i PK-së, Afrim Bunjaku dhe u plagos zyrtari tjetër policor Alban Rashiti.
Lidhur me këtë sulm terrorist deri më tani numri i të arrestuarve nga Policia e Kosovës ka arritur në tetë.
Gjykata Themelore në Prishtinë u ka shqiptuar një muaj paraburgim për dy të dyshuarit e tjerë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator.
Fotoreporteti i Telegrafit, Ridvan Slivova sot (e mërkurë) ka qëndruar tek vendi ku edhe ka ndodhur sulmi dhe nga aty ka sjellë fotografi të ndryshme.
Siç shihet në këto fotografi në vendin e ngjarjes ka ende gëzhoja të plumbave që janë shkrepur, dhe gjësende tjera që janë përdorur nga grupi i armatosur serb.
Po ashtu shihet vendi ku ka qëndruar nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, sipas pamjeve nga droni të publikuara nga Qeveria e Kosovës.
Shihet edhe ura në të cilën u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. /Telegrafi/