Telegrafi

Nga shtatori fillon mësimi tërëditor në pesë shkolla të Prishtinës

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushkau-Sadriu, kanë prezantuar programin e ri të mësimit gjithëditor në shkollat e kryeqytetit.

I pari i Prishtinës tha se mësimi tërëditor do të nis nga muaji shtator i këtij viti dhe sipas tij kjo është reforma më e madhe e nisur ndonjëherë.

Përparim Rama, Kryetar i komunës së Prishtinës

“Sot po realizohet njëri ndër premtimet më të rëndësishme në fushën e arsimit. Nga shtatori do të fillojmë mësimin tërëditor për nxënësit e shkollave të kryeqytetit. Reforma më e madhe e nisur ndonjëherë në kryeqytet këtë shtator do të jetësohet falë punës së mrekullueshme të zonjës Jehona Lushaku”, tha ai.

Ndërsa, drejtoresha e Arsimit, Jehona Lushaku-Sadriu tha se programi i mësimit tërëditor në shkollat e kryeqytetit do të ndihmojë në ngritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.

Jehona Lushkau-Sadriu, Drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë

“Kemi arritur të finalizojmë një reform për këtë vit shkollor që synim bosht ka realizimin e mësimit tërëditor. Nuk ka qenë e lehtë, kemi bërë një analizë të thuktë të shkollave”- tha ajo.

Ndryshe, mësimi tërëditor do të praktikohet vetëm për nxënësit e ciklit të ulët, pra nga klasa e parë deri në të pestë.

Shkollat e kryeqytetit që do të fillojnë më mësimin tërëditor nga shtatori i këtij viti janë: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, shkolla “Model”, shkolla “E Gjelbër” dhe ajo “Nazim Gafurri”./Telegrafi/