Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se brenda këtyre ditëve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga diaspora, votat me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media ka thënë se aktualisht po bëhet skanimi i listës përfundimtare të votuesve.
Sipas tij, skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillojnë me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse ju ndihmon që të sigurohen se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht.
“Pasi të kryhen këto procese, do të mund të fillojë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës. Ashtu siç kemi thënë edhe më herët, ky proces planifikojmë të fillojë gjatë ditëve në vazhdim”, ka thënë Elezi.
Ai tha se të dielën në mbrëmje ka përfunduar vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës.
“Ne i referohemi si ‘pako të supozuara me fletëvotime’ pasi në këtë fazë nuk hapen zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime. Kjo do të bëhet gjatë numërimit”, ka thënë ndër të tjera Elezi. /Telegrafi/