Kremlini ka nënshkruar një marrëveshje për të ndërtuar një strehë për bomba në terrenin e spitalit më elitar të Moskës disa ditë pas sulmeve të paprecedentë me dron në kryeqytetin rus, sipas një kontrate prokurimi.
Bunkeri pritet të ndërtohet në Spitalin Klinik Qendror të Moskës, një strukturë e mbrojtur, në një kohë gati rekord, raporton themoscowtimes.
I gjithë ndërtimi i asaj që zyrtarisht quhet “strukturë mbrojtëse e mbrojtjes civile” pritet të përfundojë deri më 20 dhjetor të këtij viti, transmeton Telegrafi.
Administrata presidenciale ruse nënshkroi marrëveshjen me vlerë 35 milionë rubla (433 mijë dollarë) të premten e kaluar.
Kontraktorit i janë caktuar 15 ditë për të miratuar dizajnin e strehës së bombave.
Dokumentet e prokurimit përfshijnë sisteme të veçanta komunikimi “për zyrtarët nën mbrojtjen e shtetit” në listën e objekteve të kërkuara.
Streha e bombave pritet të mbrojë si nga një valë e fuqishme shpërthimi ashtu edhe nga rrezatimi brenda një zone prej 10 kilometrash.
Të listuara janë gjithashtu disa hyrje dhe një dalje emergjente, dhoma kryesore dhe ndihmëse, si dhe një sistem i sofistikuar ventilimi dhe ngrohjeje për të pastruar ajrin nga “mjetet e gazta të shkatërrimit në masë” dhe për të lejuar “procedurat mjekësore të kohës së luftës”.
Më herët në maj, Moska pretendoi se Ukraina u përpoq të vriste presidentin Vladimir Putin në një sulm me dron në Shtëpinë e Senatit të Kremlinit, vendi i zyrës dhe apartamentit presidencial.
Ukraina ka mohuar përfshirjen në sulmet në territorin rus, por ka shprehur përkrahjen për një gjë të tillë. /Telegrafi/