Manuel Neuer ka mbetur jashtë fushave të blera që pas Kampionatit Botëror ‘Katar 2022’.
Portieri gjerman ishte në pushime dhe duke skijuar, ku një aksident me ski i kushtoi atij shumë, pasi ka humbur këtë sezon.
Neuer ishte rrëzuar duke skijuar dhe është operuar dhe kjo ka bërë që do të mbetet jashtë fushave së paku deri në fund të sezonit.
36-vjeçari për herë të parë ka folur për lëndimin e pësuar, duke thënë se fillimisht drejtuesit e klubit nuk kishin besuar, madje i kishte kërkuar falje shokëve të skuadrës me një fotografi të dërguar në grupin e ‘Whats App’.
“Unë kisha bërë ski atje qindra herë, por u rrëzova për shkak të një guri që ishte nën dëborë. Kur u thashë drejtorëve të klubit se çfarë kishte ndodhur, ata mbetën të shokuar dhe as nuk më thanë gjë. Kishin disa rezerva, këtë e kuptoj”, tha Neuer.
“U dërgova një foto bashkëlojtarëve të mi në grupin WhatsApp dhe u kërkova falje”, deklaroi Neuer.
Tutje portieri gjerman ka thënë se ky moment ka qenë shumë i rëndë për të.
“Ishte momenti më i vështirë i karrierës sime, sikur të më kishin nxjerrë zemrën nga gjoksi”, tha portieri gjerman. /Telegrafi/