Gjatë ditës së nesërme, do të jepet premiera e komedisë “Provinva” në teatrin “Muharrem Qena” në Mitrovicë.
Premiera jepet në orën 19:00, derisa kjo komedi përmes humorit dhe satirës politike pasqyron realitetin e sotëm, shkruan Telegrafi.
Teksti dhe regjia e shfaqjes është realizuar nga Ard Islami, derisa aktorët që luajnë janë: Butrint Lumi, Fisnik Ademi, Fatmir Haliti, Agan Asllani, Blerina Veseli dhe Venera Bojaj.
Sipas njoftimit, komedia “Provinca” është një pasqyrë e guximshme e jetës politike dhe sociale.
“’Provinca’ nuk është thjesht një komedi – është një pasqyrë e guximshme e jetës politike dhe sociale, e mbushur me personazhe e situata që, megjithëse shpesh absurde, janë të njohura për secilin prej nesh. Në këtë shfaqje, do të qeshim me realitetin, me hipokrizinë dhe paradokset e pushtetit, me premtimet boshe dhe me lojërat e politikës që i njohim të gjithë. Kjo komedi shkon përtej të qeshurës – është një ftesë për reflektim dhe diskutim mbi gjendjen e shoqërisë sonë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/