Site icon Telegrafi

Nënshkruhen protokolle për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor

Ministrat e Shoqërisë Informative dhe Administratës nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria kanë nënshkruar Protokollet për Qasje të Lirë në Tregun e Punës në kuadër të iniciativës për Ballkanin e Hapur.

Protokolli i nënshkruar nga Ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu, dhe homologët e tij nga vendet fqinje thekson lirinë e qytetarëve të këtyre tre vendeve për të kërkuar dhe punuar në tregun e punës të njëra-tjetrës. Mbi bazën e këtij protokolli, pritet që testet teknike dhe rregullimet e fundit të përfundojnë brenda muajit mars 2024, duke e bërë këtë mundësi të disponueshme për qytetarët.

Një tjetër hap pozitiv në bashkëpunimin rajonal është nënshkrimi i Protokollit për Ndërlidhjen e Skemave Elektronike të Identifikimit për Qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Ky hap ka për qëllim përmirësimin e shkëmbimit të informacionit dhe sigurimin e një komunikimi më të lehtë mes autoriteteve.

Gjithashtu, Drejtori i Agjencisë për Punësim, Vedat Osmani, ka nënshkruar Protokollin e parë për zbatimin e kushteve për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor. Ky hap do të përcaktojë detyrimet ligjore të të gjitha tre vendeve për të zbatuar lirinë e qytetarëve për t’u punësuar në secilin vend të tregut të punës në rajon.

Projekti synon të zhvillojë marrëdhëniet ekonomike dhe të ndihmojë në rritjen e investimeve dhe punësimit në Ballkanin Perëndimor, duke rritur njëkohësisht lëvizshmërinë e qytetarëve dhe lëvizjen e lirë të punëtorëve. Këto hapa përbëjnë një hap konkret drejt integrimimit të ngushtë në tregun e përbashkët evropian. /Telergafi/

Exit mobile version