Jennifer Aniston ia ka uruar ditëlindjen moderatores Ellen DeGeneres, përmes një postimi në profilin e saj në InstaStory.
Me rastin e 64 vjetorit të lindjes së prezantueses, aktorja e ka shpërndarë një fotografi të realizuar në vitin 2019, në të cilën shfaqet duke u puthur në buzë me të.
“Një puthje të madhe për vajzën e ditëlindjes”, ka shkruar Aniston në mbishkrimin e fotografisë.
Ellen dhe Jennifer kanë qenë shoqe me vite të tëra, ndërsa ylli i “Friends” ishte mysafirja e parë në episodin e parë të sezonit të fundit të emisionit “The Ellen DeGeneres Show”.
Njëherësh, është interesante se Aniston ka qenë edhe mysafirja e parë e Ellen kur emisioni filloi të transmetohej në vitin 2003.
Kujtojmë që në maj të vitit të kaluar, DeGeneres njoftoi se sezoni i 19-të që do të përfundojë gjatë vitit 2022, do të jetë edhe i fundit i këtij emisioni.
Prezantuesja mori kritika pas akuzave të shumta për karakterin e saj nga punonjësit, si dhe u akuzua për abuzime dhe atmosferë jo të shëndetshme pune. Si pasojë e kësaj, shikueshmëria e emisionit ra në mënyrë drastike. /Telegrafi/