Drunjtë priten pa kontrollë nëpër gjithë territorin e Maqedonisë e s’ka kush që i ndal. Shteti nuk reagon as edhe kur lajmet për prerjet e drurëve kaplojnë gjithë mediat në vend.
Por, qytetarët nuk presin shtetin të reagojë. Ata kanë nisur një iniciativë fisnike për të pyllëzuar territorin e gjithë shtetit.
Krejt këtë me një nismë në Facebook ku kërkohët që të ruhen farat e pemëve dhe të hudhen në vende të pabanuara, nëpër male apo nëpër fusha.
“Afrohet koha e kumbullave, pjeshkave, qershiave dhe kajsive. Ju bëjmë thirrje të gjithëve që mos i hudhin farat e tyre nëpër mbeturina, por ato t’i lajnë, t’i thajnë në diell dhe pastaj t’i ruajnë në një letër dhe t’i mbajnë në veturë. Nëpër vendet rurale, ose gjatë vozitjes pranë vendeve të lëna pas dore ju mund t’i hudhni farat e frutave, që ata më vonë të zënë rënjë dhe të rriten drunjë të mëdhenj” shkruhet në postimin e iniciativës “Për Maqedoni më të pastër dhe më të bukur“, njofton Telegrafi Maqedoni.
Këtë postim e kanë mbështetur mbi 15 mijë vetë, kurse mesazhi i njejtë është shpërndarë edhe nëpër faqe tjera por edhe nga njerëz tjerë që kanë ndikim në rrjetet sociale.
Kjo nismë në Maqedoni vjen si ide e huazuar nga Tajlanda, ku qeveria e atjeshme e ka promovuar këtë nismë duke bërë fushata të fuqishme dhe rezultatet kanë qenë të kënaqshme.
Rezultatet e kësaj nisme priten në të ardhmen por disa kanë shtuar dyshimet, se a mund këto fruta të rriten pa kujdesin e njeriut. /Telegrafi/