Site icon Telegrafi

Në Madrid arrestohet burri në listën e 10 të arratisurve më të kërkuar të FBI-së

Policia spanjolle ka arrestuar një nga 10 të arratisurit më të kërkuar të FBI-së, i cili po qëndronte në një hotel në Madrid me një identitet të rremë.

Michael James Pratt, një shtetas i Zelandës së Re, u dënua me burgim të përjetshëm në SHBA për shfrytëzim seksual dhe sulm seksual dhe për prodhimin e imazheve të abuzimit seksual të fëmijëve, transmeton Telegrafi.

Policia pretendon se Pratt ishte përfshirë në prodhimin audiovizual të regjistrimeve, rekrutimin e vajzave të mitura dhe grave të reja përmes mashtrimit midis 2012 dhe 2019.

Ata besojnë se ai ka fituar më shumë se 17 milionë dollarë nga këto aktivitete. Autoritetet spanjolle theksuan se vetëm 57 kriminelë në listën e më të kërkuarve të FBI-së u arrestuan jashtë juridiksionit të byrosë, duke shtuar se kjo ishte hera e parë që ndodhte në Spanjë.

Burri i dyshuar postoi reklama në internet në SHBA dhe Kanada duke ofruar punë “modelimi”, por në fakt bëhej fjalë për filmimin e përmbajtjeve pornografike.

Ai pagoi gra të tjera që të vepronin si “karrem”, dhe t’i bindte viktimat se materiali i regjistruar nuk do të publikohej në internet, raporton The Guardian.

Viktimat ndonjëherë mbaheshin kundër vullnetit të tyre dhe detyroheshin të kryenin akte seksuale, për të cilat ato kishin refuzuar shprehimisht pëlqimin.

Pratt ishte në arrati që nga nëntori 2019, kur për të u lëshua një urdhër federal në Gjykatën e Qarkut të Kalifornisë.

Në shtator, FBI e vendosi atë në listën e të arratisurve më të kërkuar dhe ofroi një shpërblim deri në 100,000 dollarë për informacionin që çonte në arrestimin e tij, shkruan CBS. /Telegrafi/

 

Exit mobile version