Site icon Telegrafi

NDJEKJA

Boris Nikolaevich Bugaev (1880-1934)

Poezi nga: Andrej Bjelli (Boris Nikolaevich Bugaev, 1880-1934)
Përktheu: Dritëro Agolli

Sërish kurora e martesës
Mbi kokë asaj si dje i ndrit
Dhe unë i shkoj si prapambetës,
I zbehtë, i mjegullt, si mehit.

Shkëlqen si meteor mëkati:
Ajo e shenjta bukuri!
Nga thellësirat pus të fatit
Zë ndrit dhe imja zbrazësi.

Ajo e holla vello derdhur
Mbi sy me ankth e me trishtim
I mbante vitet tona fshehur,
Ku bashkë e patëm çdo kujtim.

Mbi kafkë e ngjesha pak kapelën,
Mbi koca supesh – shall i zi…
Hutuar sytë e dhëndrit ngelën
Kur nusen ndoqa në shtëpi.

E mori vesh: ajo s’e donte,
Më donte mua – një mehit,
Dhe dhëndrin nisi vrik ta çonte
Një valë e çmendur në zenit.

Asaj si dje i dukem unë,
Si dje tek unë e ndjen ajo
Me gjak qefinin mbi qivurë,
Rrëkenë e epshit domosdo.

Pas përkëdheljesh mirë e mirë
Përkulem, puth, kafshoj e qaj…
Në çast i bëhet i pështirë,
Fillim e fund, i shoqi i saj.

Exit mobile version