Google ka ndaluar prodhuesin e telefonave Huawei nga disa përditësime të sistemit operativ Android, duke shkaktuar kështu një telashe për kompaninë kineze.
Telefonat e rinj të Huaweit do të humbin qasjen në aplikacionet popullore të Google.
Lëvizja vjen pasi Administrata e presidentit amerikan Donald Trumpit e shtoi Huawein në listën e kompanive, me të cilat firmat amerikane nuk mund të bashkëpunojnë nëse nuk kanë një licencë.
Mirëpo, çfarë do të thotë kjo për përdoruesit e Huaweit?
Telefonat nuk do të kenë më përditësime të sigurisë dhe as mbështetjen teknike të Google, ndërkohë që pajisjen e reja telefonike nuk do të kenë as aplikacione si Youtube, Gmail, Google Play Store apo Google Maps.
Përdoruesit aktualë të telefonave të Huaweit do të mund të përditësojnë aplikacionet dhe të vazhdojnë me përditësimet e sigurisë, si edhe të shërbimeve të Google Play, por nëse Google lanson një version të ri të sistemit Android, kompania kineze nuk do të jetë në gjendje të bëjë përditësimin në telefonat e tij.
Sidoqoftë Huawei mund të përdorë sistemin operativ Android përmes një licence, por sipas ekspertëve kjo do të ketë pasoja të konsiderueshme për biznesin e kompanisë kineze.
Huawei përballet me një bllokadë në vendet perëndimore, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende kanë ngritur shqetësime se kompania mund të përdoret nga Kina për përgjime. /Telegrafi/