National Geographic këto ditë ka realizuar një reportazh kushtuar bukurive natyrore të Kosovës, Bullgarisë dhe Maqedonisë, ku shpalosen në detaje bukuritë e maleve të pashkelura, tradita e pasur kulturore si dhe historia interesante gjeopolitike e vendit.
Kjo treshe është shndërruar si një lidhje e aventurave sportive në pjesën juglindore të Evropës, transmeton Telegrafi.
Por është interesant fakti se si Kosova në reportazh cilësohet si një ndër vendet me bukuritë më të rralla natyrore në rajon, ku turistët këshillohen ta vizitojnë këtë vend që është i mbushur me befasi.
Gjatë eksplorimit të natyrës së Kosovës, ekipi i National Geographic kishte shëtitur nëpër pjesë të ndryshme të vendit me Uta Ibrahimin, e cila jo rrallë herë shihet duke u ngjitur maleve dhe rrugës së re të hekurt të maleve të Pejës.
Ajo kishte shoqëruar ekipin e gazetarëve gjatë reportazhit, duke ua shpalosur pjesët më interesante të vendit, për të cilat tashmë kanë raportuar shumë media prestigjioze ndërkombëtare. /Telegrafi/