Site icon Telegrafi

Narrativa dezinformuese e tabloidëve të kontrolluara nga Aleksandar Vuçiq, terroristët i quajnë heronj

Kanë kaluar tre ditë nga sulmi terrorist i një grupi të serbëve në veri të Kosovës.

Derisa autoritetet e vendit kanë publikuar edhe video e fotografi të ndryshme që dëshmojnë se ishte sulm terrorist, autoritetet në Beograd mohojnë se jenë të përfshirë në këtë, transmeton Telegrafi.

Madje presidenti serb Aleksandar Vuçiq i cili kontrollon pothuajse shumicën e mediave në Serbi, me ndihmën e tyre po tenton të krijoj një narrativë se kinse “Prishtina është fajtore”.

Alo.rs në ballinën e numrit të sotëm serbët e vrarë që morën pjesë në sulmin terrorist i ka cilësuar si “viktima të terrorit të Kurtit”. Madje akuzojnë kryeministrin Albin Kurti dhe policinë e Kosovës që po futen nëpër shtëpitë e serbëve në veri. Pretendojnë se shqiptarët nën logon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po kërcënojnë me hakmarrje për vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës.

Në shënjestër është edhe “opozita” serbe që përfiton nga tragjedia. Alo.rs prej ditësh ka ballina të ngjashme. Kështu në numrin e djeshëm shkruan se “Kurti do më shumë gjak”.

E quajnë përbindësh që “lajmëron hapur vazhdimin e terrorit”. “Perëndimi dha leje për therjen e popullit tonë”, theksojnë ata.

Në ballinat e tabloidëve gjatë të hënës kishte tituj si: “Terroristët e Kurtit vrasin serbët”, “Përbindëshat edhe të plagosurit i lanë të vdesin” dhe “Albin Kurti është fajtor për gjithë kaosin”.

Kurir pretendon sot se gjuetia e serbëve është legalizuar. “Kurti do të godasë edhe më fort, qëllimi i tij është shpërngulja masive e popullit tonë nga Kosova”, shkruan Kurir. Ata në numrin e djeshëm citojnë ekspertë të paidentifikuar të cilët besojnë se “Kurti është fajtori i vetëm për gjithë kaosin në Kosovë”.

Të hënën, ata i quajtën të shtënat “gjakderdhje të planifikuar” dhe “dhunë të Kurtit kundër serbëve”. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq citohet të ketë thënë se Kurti është i vetmi fajtor i të cilit “ëndrra e përjetshme” është të tërheqë serbët në luftë. Ata theksojnë se bashkësia ndërkombëtare i dha Kurtit lejen për të vrarë serbët.

Informer sot ka në ballinë fotografi të sulmuesve të vrarë serbë me titullin: “Këta janë heronjtë tanë të Kosovës”. Pretendohet se këta janë njerëz që u ngritën “kundër terrorit të tmerrshëm të shiptarëve dhanë jetën për atdheun”. “Lavdi u qoftë dhe falënderim i përjetshëm”, shtuan ata.

Dje ata akuzuan Kurtin se “kërkon më shumë gjak”. “Kryeministri i rrejshëm Albin Kurti ka deklaruar se do t’i përndjek deri në fund të gjithë serbët që janë kundër integritetit dhe sovranitetit të Kosovës”, shkruante dje në ballinën e djeshme. Theksohet se serbët e vrarë janë “provokuar nga mizoria e shqiptarëve”.

Të hënën kanë shkruar edhe se “Gjak në duart e Kurtit”. Ata cituan gjithashtu Vuçiqin të ketë thënë se Kurti dëshiron ta tërheqë Serbinë në një luftë me NATO-n.

Blic është i bindur se Perëndimi “po i humb fijet e tij në Kosovë”. “Diplomatët e huaj janë të shqetësuar se do të humbin kontrollin mbi Prishtinën, në të cilën ata mbështeten, ndaj bëjnë lëshime ndaj saj”, pohojnë ata.

Dhe theksojnë se “terrori i Kurtit” vazhdon. Ata raportojnë se janë arrestuar tetë serbë, por disa prej tyre janë plagosur.

Telegrafi serb beson se “KFOR-i ka lejuar vrasjen e serbëve”. “Familja Kurti nuk donte një kokë të gjallë në manastir”, thuhet në një nga titujt. /Telegrafi/

 

Exit mobile version