Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Berat Mustafa në Samitin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë “VET Summit 2021” tha se pa fuqi punëtore të kualifikuar nuk mund të pritet rritje të biznesit.
Sipas Mustafës, prodhuesit vendor sfidohen me gjetjen e një personi të kualifikuar dhe të trajnuar mirë.
“Pa fuqi punëtore të kualifikuar nuk mund të presim rritje të biznesit, rritje të eksportit e rrjedhimisht rritje që qëndrueshme ekonomike në vend. Problemi i papunësisë mund të zgjidhet nëse zhvillojmë sistemin tonë të arsimit, duke zhvilluar programe që janë në përputhje me kërkesën e tregut. Sot prodhuesit vendor sfidohen me gjetjen e një personi të kualifikuar dhe të trajnuar mirë. Samiti ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit të sektorit privat e publik, të institucioneve relevante dhe të donatorëve”, tha Mustafa, përcjell Telegrafi.
Për herë të parë në Kosovë, Klubi i Prodhuesve së bashku me Fondacionin BESA janë duke organizuar Samitin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) me qëllim të diskutimit mbi rolin kyç të arsimit dhe aftësimit profesional në rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.
“VET Summit 2021” është duke u mbajtur në ITP Park në Prizren.
Pjesë e samitit do të jenë forumet e diskutimit, prezantimi i shkollave të aftësimit profesional në vend dhe punëtoritë e ndryshme.
Të pranishëm do të jenë 150 kompani vendore dhe rajonale, institucionet qeveritare, ambasadorë, shoqatat e biznesit, donatorët ndërkombëtarë si dhe ekspertë me renome ndërkombëtare – për të diskutuar dhe shkëmbyer përvojat e tyre dhe për të parë praktikat më të mira për krijimin e një sistemi sa më të avancuar për AAP, i cili do të ndikon në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit. /Telegrafi/