Site icon Telegrafi

Musliu kërkon rrëzimin e Qeverisë: Me dhunë erdhi në pushtet, me dhunë duhet të shkojë në shtëpi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, iu ka bërë thirrje qytetarëve që ta marrin guximin të protestojnë kundër Qeverisë Kurti.

Musliu ka thënë se Qeveria aktuale duhet të largohet me dhunë nga pushteti sepse sipas saj, ashtu edhe i ka fituar zgjedhjet.

Këto deklarata ajo i ka bërë në seancën e Kuvendit të enjten, ku po shqyrtohet propozim-rezoluta në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Në mungesë kuorumi, përfundon seanca e Kuvendit ku u diskutua për çmimin e rrymës

“Ju ka kalu koha, ju ka kalu koha duke i akuzu qeveritë e kaluara, është koha të kfilleni. Qytetarë [të Kosovës], nëse qytetarë të Gjermanisë marrin guximin për të protestuar për të drejtat e tyre, pse ju jo? Kjo Qeveri e meriton me dhunë si ka ardhë në pushtet me dhunë të shkojë në shtëpi”, ka deklaruar deputetja e PDK-së.

Musliu tutje ka thënë se qytetarët e Kosovës janë varfëruar për shkak të politikave të dëmshme të ekzekutivit.

Sipas saj, në ditët e para të këtij viti, mbi 20 ushtarë e kanë lënë Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Një popull që s’po mund ta ngopë me bukë, nuk do të mund t’i mobilizojë, ashtu siç po thërret, për luftë. Sot kur po flas në këtë foltore, për 17 ditë që kanë kaluar të këtij viti, mbi 20 ushtarë të FSK-së janë demobilizuar. Dhe numri është në rritje çdo ditë”, ka shtuar ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version