Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka njoftuar se ish pjesëtari i GRU ruse që shërbeu në kuadër të forcave ruse në Kosovë, si pjesë e KFOR-it, Aleksey Kondratiev, tashmë është pjesë e një brigade paramilitare ruse në Ukrainë.
Musliu ka thënë se Kondratiev, si pjesë e shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse GRU, ka marrë pjesë në kuadër të KFOR-it edhe në Kosovë në vitin 2001.
“Gjatë kësaj kohe, ai në një lokal nate në Kodrën e Trimeve në Prishtinë, më 3 shtator, kishte provuar që ta rrëmbente dhunshëm një punonjëse, me ç’rast ishte plagosur. Për fat të keq, KFOR ia dha një medale dhe ai u kthye në Rusi, duke thënë se plagën e mori në luftim me ‘Terroristët shqiptarë’”, ka thënë Musliu në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.
Sipas Musliut, gjatë luftës së Sirisë, Kondratiev e kishte vizituar edhe marionetën ruse, diktatorin sirian Bashar Al Assad.
“Disa vite ka qenë edhe pjesë e Dumës Ruse, i përfaqësuar në Këshillin e Evropës. Madje, në vitin 2019, me propozimin e Serbisë, ai ishte nominuar për t’u zgjedhur raportues i Parlamentit Evropian për Kosovën. Pas reagimit të inteligjencës, diplomacisë dhe shoqërisë civile kosovare, e më pas edhe të miqve tanë perëndimorë, zgjedhja e tij u pengua”.
Musliu gjithashtu tha se “lidhjet e tij me Serbinë në vazhdimësi kanë qenë të forta. Ai ka takuar zyrtarisht dhe privatisht shpeshherë edhe liderë serbë, duke u nisur nga Aleksandar Vuçiqi e poshtë!”. /Telegrafi/