Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka qenë e ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com ku ka folur për Qeverinë Kurti, zgjedhjet e mundshme të përgjithshme si dhe përleshjen fizike që ndodhi mes deputetëve të partisë së saj, atyre të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) e ministrave.
Në intervistën me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ajo ka folur edhe për Koordinatoren e Komiteteve në LVV, Dejona Mihalin, për të cilën ka thënë se i ka nën kontroll të gjithë deputetët e partisë në pushtet.
Musliu mes tjerash ka thënë se Dejona Mihali është instrument përmes së cilës kryeministri Albin Kurti “e shtrin diktaturën në institucionet e Kosovës”.
“Dejona Mihali është një e punësuar nga Albin Kurti. Nuk e di nga kush e si paguhet, por qeverisë me shtetin e Kosovës. Ia ka jep Albin Kurti këtë kompetencë. Është ajo e cila komplet deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje i ka në kontroll”.
“Deputeti i LVV-së e merr nga Dejona Mihali komandën se çka duhet me votu e çka jo. Nuk do të thotë se ky është qëndrimi i Dejona Mihalit, ky është qëndrim i Albin Kurtit. Ai e ka instaluar atë si instrument”, ka deklaruar deputetja opozitare.
Tutje, ajo ka thënë se tendenca e militantëve të LVV-së për ta shkëputur Dejona Mihalin nga Albin Kurti është e rrezikshme.
“Në momentin kur deputeti që i ka marrë 70 mijë vota nga qytetarët nuk guxon me pas qëndrim për asnjë çështje, por e pret mesazhin nga Dejona Mihali është më shumë se fuqi”, është shprehur Musliu.
Sa i përket mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në shtator, ajo ka thënë se një gjë të tillë po e kërkojnë edhe qytetarët jo vetëm opozita.
“Ata të cilët po ballafaqohen çdo ditë me presionin, padrejtësitë, shantazhet dhe keqqeverisjen e Albin Kurtit. Kur qytetari direkt kërkon zgjedhje ne e kemi shumë më lehtë që t’i plasojmë idetë e tona. Sot me këdo që takon, qoftë me furrtarin qoftë me taksist, kamerier apo udhëtar në autobus, kërkon zgjedhje. Pyetje kryesore është ‘Ku po shkon kjo qeveri’”, është shprehur deputetja e PDK-së.
Në fund, ajo ka thënë se PDK-ja do të bashkohet çdo herë me qytetarët e Republikës së Kosovës, që vendi të ketë një qeverisje të mirë. /Telegrafi/