Ministri për Çështje Evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, sot në Tiranë zhvilloi takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, njoftojnë nga Ministria për Çështje Evropiane e RMV-së.
Ky takim, theksojnë nga atje, reflekton përkushtimin e përforcuar bilateral për progresin në rrugën integruese të të dyja shteteve miqësore drejt BE-së.
Në këtë kontekst, Murtezani theksoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të nisur negociatat deri në fund të këtij viti, çka do të ishte një impuls shtesë për vazhdimësinë e përpjekjeve të përbashkëta në avancimin e rrugës evropiane.
“Murtezani dhe Hasani riafirmuan miqësinë tradicionale dhe marrëdhëniet e ngushta bilaterale dhe diskutuan për intensifikimin e lidhjeve diplomatike dhe përforcimin e stabilitetit rajonal përmes qasjes së përbashkët në trajtimin e sfidave nga agjenda evropiane.
Ata theksuan rëndësinë e solidaritetit rajonal në këtë proces, si dhe vendosmërinë e përbashkët të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për të realizuar reformat e nevojshme në përputhje me standardet evropiane”, thuhet në njoftim.
Murtezani theksoi se bashkëpunimi në agjendat reformuese përmes zhvillimit të planeve të përbashkëta të punës për fushat kyçe, mundëson efikasitet më të madh dhe intensifikim të proceseve reformuese për të dyja vendet./Telegrafi/