Ministri i Financave, Hekuran Murati, u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të mos paguajnë për sigurimin kufitar.
Murati ka ritheksuar se policat kufitare janë të mbuluara nga Qeveria e Kosovës, transmeton Telegrafi.
Ministri ka shprehur shqetësimet e tij, se disa punonjës të Byrosë Kosovare të Sigurimit nuk informojnë saktë që polica kufitare është e subvencionuar, dhe kësisoj po i detyrojnë mërgimtarët të paguajnë.
“Policat kufitare për vetura deri në 9 pasagjerë janë të mbuluara nga Qeveria, dhe nuk ka nevojë të paguhet për to, kur hyni në pikat kufitare. Kemi raportime nga disa bashkatdhetarë se punonjës të papërgjegjshëm të Byrosë Kosovare të Sigurimit nuk informojnë saktë që polica kufitare është e subvencionuar, dhe madje edhe i detyrojnë bashkatdhetarët që të paguajnë për së dyti, për polica që tashmë janë të paguara nga Qeveria”, thotë ministri.
Ai ka ftuar të gjithë ata bashkatdhetarë që janë ballafaquar me raste të tilla, ku u është kërkuar të paguajnë për policën kufitare e që do duhej ta merrnin falas, që rastet t’i raportojnë tek policia në numrin 192.
“Disa raste tashmë janë raportuar dhe kemi pasur edhe procedimin penal për punonjësit e BKS-së. Njëkohësisht ftoj edhe Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë që t’i trajtojnë me prioritet këto raste të keqpërdorimeve”, shton mes tjerash ai.
Ndryshe, nga data 1 korrik ka nisur subvencionimi i policës kufitare për bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë.
Polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri një muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe është e vlefshme vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.
Subvencionimi nuk përfshin policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij një mujor, dhe as automjetet si autobusët, kamionët, motoçikletat etj. Policat e sigurimit të marra në zyrat e BKS brenda territorit të Kosovës, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi.
Kjo iniciativë e Qeverisë ka për qëllim lehtësimin e udhëtimeve për bashkatdhetarët që vizitojnë vendin gjatë sezonit veror./Telegrafi/