Site icon Telegrafi

Mungesa e energjisë në Malishevë, kryetari i komunës viziton zyrat e KOSTT-it dhe ZRRE-së

Komuna e Malishevës ditëve të fundit po përballet me mungesë të energjisë elektrike. Kjo ka bërë që kryetari i saj, Ekrem Kastrati, këtë të premte të shkojë pa paralajmërim në zyrat e drejtuesve të KOSTT-it dhe ZRRE-së.

Përmes një postimi në Facebook, Krastrati ka thënë se atyre u ka shprehur shqetësimet e qytetarëve dhe vështirësitë me të cilat janë duke u ballafaquar.

“Mungesa e energjisë elektrike në Komunën tonë, ndërprerjet e pa kontrolluara, vështirësitë e funksionimit të bizneseve, shqetësimet e mërgimtarëve, gastronomisë dhe në përgjithësi situata e rënduar e buzë kolapsit, si pasojë e mos reflektimit të KOSTT dhe KEDS, më ka shtyrë që sot tu shkoj në zyra me dhe pa paralajmërim drejtuesve të këtyre institucioneve; KOSTT-it dhe ZRRE-së”.

“Ju shpreha të gjitha shqetësimet e drejta të qytetarëve tanë dhe vështirësitë me të cilat janë duke u ballafaquar ekonomitë familjare, bizneset dhe çdo hallkë tjetër e funksionimit në territorin tonë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, i pari i Malishevës ka shtuar se është urgjente që Qeveria e Kosovës të thërras sa më parë të gjitha institucionet përgjegjëse, që në bashkëpunim edhe me komunën, të ndërmarrin hapat dhe masat e nevojshme për ta zgjidhur këtë krizë energjetike, “në mënyrë që ky të jetë dimri i fundit që qytetarët e Malishevës e kalojnë pa energji elektrike”. /Telegrafi/

Exit mobile version