Këngëtarja Rita Ora është një prej emrave shqiptarë më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare.
Ajo është e lindur më 19 nëntor të vitit 1990 në Prishtinë, nga prindërit Besnik dhe Vera Sahatçiu.
Jo rastësisht Rita është marrë me art, pasi një gjë të tillë e ka bërë edhe gjyshi i saj nga babai, Besim Sahatçiu.
Ai ka qenë regjisor e skenarist i njohur i filmave “Përroi vërshues”, “Nabujala reka”, “Trimi”, “Pasqyra”, “Lulepjeshkat e dashurisë” dhe projekteve tjera filmike ndër vite.
Rita ka treguar se është shumë krenare me gjyshërit e saj, teksa ka qenë motra e saj e madhe, Elena Ora, ajo e cila së fundmi ka vendosur të ndajë me fansat një fotografi të tyre në Instagram.
“Gjyshërit e mi të mrekullueshëm. Inspirimi im për sot”, ka shkruar ajo në mbishkrimin e fotografisë.
Tutje, Elena ka publikuar edhe një tjetër fotografi ku shfaqet një tabelë që tregon emrin e një rruge në Kosovë, e cila bart emrin e gjyshit të tyre, Besim Sahatçiu.
“Gjyshi im ka qenë nga regjisorët e parë nga Kosova, në një kohë kur ne nuk ishim të lejuar të bëjmë filma dhe të tregoheshim kreativë. Ata e kanë njohur kontributin e tij në kulturën dhe komunitetin e filmit, duke emëruar një rrugë me emrin e tij. Të dua (Unë isha mbesa e preferuar natyrisht)”, ka shkruar tutje Elena Ora në Instagram.
Përndryshe, edhe gjyshi nga nëna i artistes Rita Ora, Osman Bajraktari, ka qenë një emër i njohur për publikun shqiptar, pasi ai ishte ambasador i Kosovës në Rusi. /Telegrafi/