Site icon Telegrafi

Mori pjesë në protestën e serbëve për të kundërshtuar hapjen e urës së Ibrit, Jabllanoviq flet për Telegrafin

Në protestën e cila u mbajt sot në sheshin “Car Llazar”, në mesin e disa qytetarëve nga komuniteti serb morën pjesë edhe përfaqësues të Listës serbe si dhe kryetari i  “Partisë së Serbëve të Kosovës”, Aleksandar Jabllanoviq të cilët kundërshtuan hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë.

Jabllanoviq në një prononcim për Telegrafin ka folur për protestën e sotme dhe arsyen e organizimit të saj.

Lexo po ashtu Përfundon e qetë protesta e qytetarëve serbë në veri - kundërshtuan hapjen e urës së Ibrit

Ai tha se ura e Ibrit asnjëherë nuk i ka lidhur shqiptarët dhe serbët, dhe se kjo urë siç u shpreh “ka qenë gjithmonë vend konflikti dhe konfliktesh serioze”.

Jabllanoviq theksoi se ura e Ibrit nuk duhet të hapet në mënyrë të njëanshme.

“Mesazhi është mjaft i qartë. Ka shumë ura mes serbëve dhe shqiptarëve që na lidhin dhe janë të dobishme për të jetuar së bashku. Mirëpo, kjo urë kryesore në Ibër nuk na ka lidhur kurrë, ka qenë gjithmonë vend konflikti dhe konfliktesh serioze. Prandaj kjo urë nuk mund dhe nuk guxon të hapet në mënyrë të njëanshme dhe ne serbët nuk pajtohemi me hapjen e urës”, ka thënë Jabllanoviq.

Lexo po ashtu Sveçla dhe Krasniqi vizitojnë urën e Ibrit: Hapja e urës çështje e mbyllur, nuk diskutohet në Bruksel

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me këto veprime që po bën është duke ngritur ‘rejtingun’ para zgjedhjeve parlamentare, dhe siç tha “nuk i intereson që një lëvizje e tillë do të rrezikonte sigurinë e qytetarëve.

“Nga ana tjetër, Kurti kërkon të hapë një urë për të ngritur rejtingun para zgjedhjeve parlamentare dhe nuk i intereson që një lëvizje e tillë do të rrezikonte sigurinë e qytetarëve. Prandaj ne serbët i bëjmë thirrje KFOR-it që t’i përmbahet rezolutës 1244 të OKB-së dhe të parandalojë veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës”, ka thënë ndër të tjera për Telegrafin Jabllanoviq. /Telegrafi/

Exit mobile version