Site icon Telegrafi

Montella po e merr drejtimin e Fenerbahces, krahas Dzekos do edhe futbollistin e Juves

(Foto: Getty Images)

Fenerbahce nuk e ka vazhduar bashkëpunimin me trajnerin portugez, Jorge Jesus, ndërsa në sezonin e ri klubi turk pritet të drejtohet nga ish-sulmuesi legjendar italian, Vincenzo Montella, i cili e ka caktuar Edin Dzekon si një nga shënjestrat kryesore.

Gjiganti turk ka arritur në fazën e marrëveshjes me trajnerin italian, i cili në sezonin e kaluar e zuri vendin e katërt me Adana Demirspor, që ishte edhe suksesi më i madh në histori të klubit.

Megjithatë, ish-sulmuesi i Romës është larguar nga Adana dhe tash është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Fenerit.

Lexo po ashtu Dzeko merr ofertën më të madhe në karrierë, paratë e tilla vështirë refuzohen

Mediat italiane i kanë publikuar disa nga emrat që ai i do te klubi i ri, ndërsa krahas Dzekos, në listë është edhe anësori i Juventusit, Juan Cuadrado, të cilit i skadon kontrata në fund të këtij muaji.

Po ashtu – siç transmeton Fanatik – në listën e tij është edhe futbollisti i Bolognas, Riccardo Orsolini, të cilin e kërkojnë klubet italiane, si Fiorentina dhe Napoli. /Telegrafi/

Exit mobile version