Nga: Khalil Gibran
Përktheu: Elmaz Fida
Mjerë ai komb që ka doktrina e sekte, por që nuk ka besim.
Mjerë ai komb që vesh çfarë nuk end vetë dhe ushqehet me çfarë nuk e prodhon vetë.
Mjerë ai komb që e konsideron tiranin hero, kurse pushtuesin që e poshtëron, të mëshirshëm.
Mjerë ai komb që e ngre zërin vetëm në funerale, nuk krenohet veçse me rrënojat dhe nuk revoltohet veçse kur e ka qafën mes shpatës dhe cungut.
Mjerë ai komb që si udhëheqës ka dhelprën, si filozof magjistarin dhe si artistë laramanët dhe imituesit.
Mjerë ai komb që mirëpret sundimtarin me daulle dhe i jep lamtumirën me fishkëllima, për të pritur një tjetër me daulle e fyej.
Mjerë ai komb ku njerëzit e mençur heshtin, si heshtja e viteve.
Mjerë ai komb ku burrat e zotë përpëliten në rehatinë e shtratit.
Mjerë ai komb i ndarë, ku çdo pjesë e sheh veten si komb më vete.