Një grevë katër-ditore e planifikuar nga dhjetëra mijëra mjekë javën e ardhshme mund të çojë në shtyrjen e rreth një çerek milionë vizitash mjekësore, tha një zyrtare e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë së Madhe (NHS).
Layla McCay nga NHS, tha se ndikimi pritet të jetë më i madh se greva tre-ditore e muajit të kaluar nga mjekët e rinj, çka çoi në shtyrjen e 175 mijë vizitave dhe procedurave mjekësore.
“Ndikimi do të jetë aq i madh sa ka të ngjarë të prekë sigurinë shëndetësore të pacientëve dhe përbën shqetësim për çdo drejtues të kujdesit shëndetësor”, tha McCay për BBC Radio 4.
Greva e planifikuar për të martën nga të ashtuquajturit mjekët e rinj është e fundit në një valë protestash nga punonjësit e sektorit publik që kërkojnë rritje të pagave për të kompensuar inflacionin në shkallën mbi 10 për qind.
Rritja e kostos së jetesës, e nxitur nga rritja e theksuar e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, ka bërë që anglezët të kenë vështirësi t’i përballojnë faturat ndërsa rrogat e punonjësve të sindikatave nuk reflektojnë tregun gjatë dekadës së fundit.
Javën e kaluar, punonjësit e zyrës së pasaportave filluan një grevë pesë-javore dhe punonjësit e sigurisë në Aeroportin Heathrow braktisën punën për një afat dhjetë-ditor. Grevat nga drejtuesit e trenave dhe autobusëve, punonjësit e postës, shoferët e ambulancave dhe infermierët kanë shkaktuar probleme për britanikët.
Arsimtarët, të cilët refuzuan kohët e fundit një rritje page si të papranueshme, planifikojnë të organizojnë greva më 27 prill dhe 2 maj, duke sjellë shqetësime për prindërit dhe nxënësit. /VoA/