Site icon Telegrafi

Miqtë e poetit Frederik Rreshpja

Nga: Petrit Palushi (pjesë e librit “Frederik Rreshpja, që s’e kuptuam kurrë”, Tiranë 2016)

I piu dy cigare ngjitmas, madje me cigaren e pambaruar ende e ndezi tjetrën.

Kur e sosi cigaren e dytë, foli:

– Nuk jam i vetmuar. I kam do shokë, – tha. – I kam. Janë shumë të mirë për mua: Moikom Zeqo, Shpëtim Kelmendi, Myftar Gjana, Ermir Nika dhe Riza Lahi…

Katër të parët i njihja, të fundit jo.

– Vetëm këto? – e pyeta.

– Këto më duan, – tha, – më ndihmojnë. Më duan jo pse tash jam i pamundshëm, por më duan për poezinë time. Ajo u pëlqen e kënaqen kur e lexojnë. Po ka edhe të tjerë që më ndihmojnë. Ka edhe të tjerë. Të gjithë më japin frymë, më japin jetë. Më ruajnë karakterin… Mark Simoni më do dhe më përkrah vazhdimisht. Është tepër i sinqertë me mua. Harrova edhe Enver Kushin. Po si e harrova?

Vetëm shteti s’më do mua… Vetëm shteti…

– Njerëzit, megjithatë të duan, – ia ktheva.

– Kam ndejtë shumë kohë te shtëpia e Shpëtim Kelmendit. Shumë kohë. Dy vjet a më tepër. Se Fredi s’ka. Kishte por tash s’ka… Po njerëzit kanë hallet e tyre. S’u zë faj. Vetëm parlamentarët s’kanë halle.

Lëvizin me makina të buta… Jam edhe i kënaqur se Myftar Gjana do e botojë veprën time të plotë. E kam një marrëveshje me të. Se unë nuk kam shkruar vetëm këto vite. Qysh kur kam qenë 10 vjeç kam botuar poezinë e parë. Pra, kam 55 vjet që shkruaj…

Nuk e ndërpreva. E pashë se pati dëshirë të fliste, madje me një ngazëllim të dukshëm.

– Po e kisha edhe një vend pelengrinazhi, – tha. – Te Muzeu kombëtar, se aty punonte Moikomi. Kur shkoja te zyra e tij ai linte çdo punë dhe merrej me mua. Se aty kish shkuar Fredi… Moikomi e do Fredin, e nderon tepër…

Psherëtiu gjatë…

– Një vit më parë jam kënaqur shumë. Ermir Nika më ndihmoi me fondin e Ministrisë së Kulturës dhe u botua libri im “Në vetmi”. U kënaqa. Kam shkuar te strehëza ime me libër në dorë dhe vallëzova aty, krejt i vetmuar derisa u lodha. M’u kujtua poezia e Martin Camajt “Nji ditë e ka edhe korbi”. I mbaj mend dy vargje t’asaj poezie: Kur te e vona pllumbat kthyen në banesa, e ndiu vehten korbi pëllumb në shpirt.

Se edhe Fredin e kanë pa si korb. Fredi ishte i butë, si pëllumb i butë…

U kthye prap te ndihmatarët e vet.

– Edhe në Shkodër, para se të më futnin në burg, më donin, – tha. – Më donin shumë. Pse, a nuk duhej dashtë Fredi? Tash kujtoj se Xhahid Bushati vinte te shpija ime. Qe fort i ri. E nëna ime i shtronte bukë. Edhe të tjerë më donin. E donin Fredin se ai qëndiste, pikturonte, shkruante poezi e plot gjëra të tjera.

Fredi ishte i urtë, nuk ngacmonte kënd… Kur më futën në burg, Shkodrën time të hijshme vetëm e mbaja në mendje… Një rast, kur dola nga burgu, Xhahidi më ndaloi dhe më tha: “Kurrë s’e harroj bukën që më ka dhënë nëna jote”! E si t’i harroj njerëzit që u treguan mirënjohës me nënën time? Se ajo ka vdekur, por i dëgjon të gjitha ç’thuhen për shpirtin e saj të mirë…

Ndejtëm do kohë në heshtje…

– Po edhe vëllezërit e mi më kanë dashur. Mbasi kreva burgimin e parë Keli më mori në punë në Vaun e Dejës. Ishte inxhinier ndërtimi. Kur dola prej burgimit të dytë, Keli me Gjovalinin më thanë të rrinim bashkë. Po a mbahej Fredi? Nuk mbahej… Gjovalini ishte mjek. Po sa e sa fleta me poezi të mijat ka Gjovalini në shtëpi! Ka plot. Po m’i ruan ai, m’i ruan…

Për do kohë nuk e zhvendosi bisedën prej Shkodrës, madje po i mëshonte më me forcë.

– S’më lanë me e dashnue Shkodrën sa duhet, – tha. – Se unë ika prej Shkodre… Më larguan se më futën në burg… Edhe Kel Kodheli iku prej Shkodre kur ishte gjashtë vjeç. Shumë kohë më vonë i kam pa do piktura të tij. Më kanë pëlqyer. Piktor impresionist. Piktor me penel të butë. Shih sa bukur tingëllojnë emrat: Kel, Fred! Gjon, si Gjon Buzuku. Zef, si Zef Serembe! Po edhe vëllai im e ka emrin Kel. Emra me një rrokje.

U kthye rishtas te ndihmatarët e vet.

– Njerëzit më kanë dashur, – tha si të prishte heshtjen që e kishte kapë ngrija.

Përsëri foli në kohë të shkuar: – Njerëzit më kanë dashur…

– Tash s’kanë kohë ta duan më Fredin, – vazhdoi. – Poezinë e tij, po. Fredin e lindi nëna, po Fredi do vdesë vetë.

Ç’t’i thoja Rreshpes?

Ose, më saktë deri ku duhej ta shtrydhja mendjen e të gjeja ndonjë fjalë të përshtatshme ta lehtoja sadopak n’atë mbrëmje, anipse njëfarësoj ndihej i qetë ose mua më ngjante se ndjehej i tillë?

Aty për aty më vetoi në mendje se sikur qe aty të jepte lamtumirën e mbrame, ashtu krejt shkujdesshëm.

– Shih, – më tha dhe m’i nguli sytë me dritë fort të butë, – edhe kur të më futin në varr është e tepërt të më hedhin dhé përsipër. Trupi im s’e mban dheun. Le të më hedhin vetëm fletat ku kam shkruar poezitë!

Nga sëmundja, po, mund të vdesësh, më thoshte Rreshpja atë natë. Por Fredi i ka të dyja, urinë dhe sëmundjen. Edhe pse Fredi ha pak, ose aspak. Po Fredi nuk ka edhe strehë…

Nuk e di sa do jetoj, më thoshte gjithashtu.

Pakëz më vonë kish shtuar: Di se nuk do e shtyj as tre muaj. Ja, do jetoj edhe një stinë. Vetëm stinën e vjeshtës dhe do vdes. Qe, edhe një javë mbas tremuajshit të vjeshtës. Asnjë ditë më tepër.

Qe mbrëmja e 11 nëntorit të 2005-s.

Pikërisht n’atë mbrëmje, Rreshpja po pikëzonte me mendje vdekjen e vet.

Intuitivisht ose jo, ose tekembramja, ai po lëshonte parandjenjën më të frikshme për jetën e vet, pikërisht fikjen e saj në krye të tre muajve.

Stinën e fundit të jetës, me mendjen e vet e përfytyroi si stinë të vjeshtës.

As m’u dha ta pyesja për këtë (m’u kujtua se gjatë bisedës më kishte thënë: Erdhi dimri i keq. Nuk e di a mund do ta shtyj… Fjalët e mija se dimri qe ende larg, kur duhej edhe një muaj të mshelej vjeshta, ai i anashkaloi si me gjysmëzë: Stinët janë në trup të njëra – tjetrës.)

Borhesi thoshte se njeriu s’di asgjë përderisa nuk di ditën e vdekjes së vet.

Rreshpja e përfytyroi cakun e fundit të jetës, madje edhe ditën… Në krye të tre muajve… Qe edhe një javë mbas tremuajshit të vjeshtës. Asnjë ditë më tepër…

Ai vdiq me 17 shkurt të 2006-s, bash n’atë ditë kur donte të vdiste vetë ose e mori me mend se mund të vdiste.

Atë vdekje e kish thirrë vetë në Kukës, në mbrëmjen e 11 nëntorit të 2005-s.

Fjalët për atë vdekje i shpaloi qetë-qetë, si të mos fliste për jojetën, por si diçka që duhej kryer se po vinte caku i mbramë dhe ai cak s’mund të shtyhej asnjë ditë më tepër.

Exit mobile version