Site icon Telegrafi

Ministria e Arsimit: Nesër fillon mësimi, kryetari i SBASHK-ut nuk ka të drejtë t’i mbyllë shkollat

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka njoftuar se nesër, më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor për të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë në Republikën e Kosovës.

MASHTI, përmes një komunikate ka thënë se përkundër faktit se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, fillimi i suksesshëm i vitit shkollor vihet në pikëpyetje për shkak të grevës së deklaruar nga BSPK-ja, së cilës i është bashkëngjitur edhe SBASHK-u.

“Përderisa legjislacioni ynë e njeh të drejtën e të gjithë punëtorëve për grevë, e njeh edhe të drejtën për të punuar të atyre të cilët nuk janë pjesë e grevës”, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.

Më tej në komunikatë thuhet se “duke marrë parasysh gjendjen në terren, ftojmë prindërit dhe nxënësit që të komunikojnë drejtpërdrejt me mësuesit klasorë, kujdestarët e klasave dhe menaxhmentin e shkollës për të kuptuar nëse do të organizohet procesi mësimor dhe sipas cilit orar”.

Lexo po ashtu SBASHK-u: Më 1 shtator nuk ka mësim, greva vazhdon

“Kryetari i SBASHK-ut dhe askush tjetër përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave për çfarëdo arsye, as t’i pengojë të punojnë ata që duan të punojnë.  Presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme. Ndërkaq, spekulimet se, me ardhje në shkollë, mund të cenohet siguria e fëmijëve nuk kanë asnjë bazë”, thuhet në reagim.

Në komunikatë thuhet se “Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë qenë të hapura për dialog me sindikatat dhe kanë adresuar kërkesat legjitime, gjithnjë brenda kornizës ligjore dhe mundësive materiale. Jemi të bindur se për secilin problem mund të gjindet zgjidhja, por proceset e tilla nuk duhet t’i dëmtojnë fëmijët dhe të rinjtë që kanë nevojë për arsim cilësor”.

Ndërkohë, Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një konferencë për media sot ka bërë të ditur se nesër nuk do të ketë mësim dhe se greva do të vazhdoj.

“Nesër është 1 shtatori dhe po të kishim angazhim të sinqertë të shtetit tonë nesër do të kishim fillim të vitit shkollor, por fatkeqësisht pasi që mungon dialogu greva do të vazhdoj kjo do të thotë që edhe nesër punëtorët e arsimit do të jenë në grevë dhe ajo do të vazhdoj edhe më tutje derisa qeveria të filloj realizimin e kërkesave tona”, tha Jasharaj. /Telegrafi/

Exit mobile version