Site icon Telegrafi

Ministri Kuçi takon Këshillin Grevist dhe Menaxhmentin e Trepçës, flasin për tejkalimin e situatës në këtë ndërmarrje

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi bashkë me drejtorin e Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Besnik Krasniqi, sot kanë pritur në takim Këshillin Grevist të Punëtorëve të Trepçës, të kryesuar nga Ragip Istrefi, përfaqësuesin e Sindikatës së Trepçës, Gani Osmani, ushtruesin e detyrës së kryeshefit të “Trepçës” Hysen Vrajolli dhe disa punëtorë të ndërmarrjes.

Në njoftim bëhet e ditur se është diskutuar gjendja e vështirësuar e ndërmarrjes publike “Trepça”, gjegjësisht bllokimi i llogarive të tyre duke pamundësuar edhe dhënien e pagave.

Ministrit Kuçi i janë paraqitur kërkesat e Këshillit Grevist, të cilët kërkuan ndihmë financiare që të kalojnë këtë gjendje.

“Duke u treguar për ndihmën që kësaj ndërmarrje i është dhënë edhe me masat përkrahëse të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike, ministri Kuçi, u ka premtuar punëtorëve dhe menaxhmentit që nga buxheti për rimëkëmbje ekonomike brenda Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike do t’u ndahet një shumë e mjeteve dhe do të kërkohet në Mbledhje të Qeverisë ndihmë shtesë”, thuhet në njoftim.

“Ajo që mund të ju garantoj është se ne kemi një shumë të mjeteve në buxhetin e Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, të cilën mund ta ekzekutojmë menjëherë. Mirëpo, kërkesa juaj është më e madhe dhe për këtë unë në mbledhjen e nesërme të Qeverisë së Kosovës do ta paraqes këtë shqetësim dhe do të kërkoj ndihmë për juve për të kaluar këtë situatë”, ka thënë ministri Kuçi. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version