Site icon Telegrafi

Ministri i Jashtëm ukrainas, përmes një video-mesazhi tregon pse Rusia nuk e tregon të vërtetën për sulmin që i bëri Ukrainës

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba përmes një video mesazhi ka thënë se nganjëherë dëgjon njerëzit duke thënë se Rusia ishte detyruar ta sulmojë Ukrainën, sepse ukrainasit donin t’i bashkoheshin NATO-s.

Sipas tij, ata njerëz gjithashtu thonë se NATO kishte premtuar se nuk do të zgjerohet në lindje, por se më vonë kishte shkelur këtë premtim, transmeton Telegrafi.

Kjo pretendohet të jetë arsyeja pse Rusia vazhdon të sulmojë fqinjët, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas – duke shtuar se nëse ndonjëherë dëgjohen zëra të tillë, duhet ditur se nuk është e vërtetë.

Lexo po ashtu E pranon Pistorius, njëri prej oficerëve gjermanë kishte përdorur linjën e pasigurt telefonike

“Do të më duhen më pak se pesë minuta për ta dëshmuar se të dy deklaratat janë të pasakta. Rusia në fillim pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2014, duke pushtuar Krimenë”, tha Kuleba.

Deri në atë moment sipas kryediplomatit ukrainas, vendi i tij ishte neutral sipas ligjit dhe nuk kishte shprehur ndonjë dëshirë që t’i bashkohet NATO-s.

“Gjatë Revolucionit të Dinjitetit, protestuesit këmbëngulnin që t’i bashkohemi BE-së, por jo edhe NATO-s. Ishte vjeshta e vitit 2014, kur pas shumë muajve luftime, Ukraina braktisi neutralitetin. Pra çfarë ndodhi së pari? A e sulmoi Rusia Ukrainën apo Ukraina donte t’i bashkohej NATO-s? Është e qartë. Po të mos e rrezikonte ekzistencën e Ukrainës, vendi ynë nuk do të kërkonte mbrojtje kolektive. Pra ju lutem, mos e përsërisni gënjeshtrën se Rusia sulmoi Ukrainën sepse donte t’i bashkohej NATO-s”, shtoi Kuleba. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version