Site icon Telegrafi

Minatorët e Trepçës në ditën e dytë të grevës, paralajmërojnë ngujim në minierë (Video)

Minatorët e Trepçës kanë hyrë  në ditën e dytë të grevës së përgjithshme, në shenjë pakënaqësie për indiferencën e institucioneve të Kosovës. Ata kërkojnë rritjen e pagave 20 për qind, mos pranimin e punëtorëve pa konkurs dhe takim me Bordin e Trepçës.

Sabri Ismajli, njëri nga minatorët e Trepcës, gjersa tregon kërkesat e tyre, nuk mund t’i mbaj lotët.

Thotë se ndër kërkesat e tjera, duan edhe ngritje të pagës për 20%. Shton se kanë kaluar 3 muaj prej kur qeveria u zotua të plotësojë kërkesat e tyre.

“Edhe ne minatorët jemi punëtor të këtij shteti. Edhe ne i kemi kërkesat tona legjitime e sociale. Kemi kërkuar ngritje të pagës prej 20%”, thotë për RTV Dukagjinin, Sabri Ismajli.

Nga këshilli i punëtorëve Ferid Neziri, poashtu përlotet teksa tregon se nuk përjashtohet mundësia që në shenjë revolte për moszbatimin e kërkesave të tyre, të ngujohen në minierë.

“Mund të ndodhin masa më radikale. Minatorët mund të ngujohen në minierë”, tha Ferid Neziri.

Pas këtij emocioni, deklaratën e tij e vazhdoi Isuf Beqiri, poashtu nga Këshilli i Punëtorëve. Ai akuzon të gjitha qeverisjet e deritanishme për mospërfilljen e kërkesave të minatorëve.

“Thaçi ka qenë dy mandate, nuk ka bërë asgjë për ne, Isa Mustafa njëjtë, tash as Ramushi nuk po bën asgjë.”, tha Isuf Beqiri.

Ndërkaq rrëfen edhe për një minator i cili kishte vdekur në vendin e punës, mirëpo familja e tij nuk gëzon benificione nga qeveria.

“Më është mbytur dhëndri para gjashtë viteve. Më vjen keq të them, ka shkuar si ta kishin ngrënë ujqërit. Ka marrë 15 mijë euro edhe tash fëmijët e tij nuk e gëzojnë asnjë cent”, thotë Isuf Beqiri, nga Këshilli i Punëtorëve.

Beqiri tregon edhe për kushtet e rënda të punës, me të cilat përballen minatorët.

RTV Dukagjini ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, për të marrë qëndrimin e saj rreth kërkesave dhe grevës së minatorëve të Trepcës, mirëpo këta të fundit refuzuan të përgjigjen. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version