Telegrafi

Milani ka nevojë për motivim dhe vetëbesim, Ibra mund të kthehet në ndeshjen ndaj Torinos

(Foto: Twitter/AC Milan)

Pas qëndrimit prej 260 ditësh jashtë fushe, Zlatan Ibrahimovic po e sheh dritën në fund të tunelit dhe mund të jetë vetëm disa ditë larg rikthimit për Milanin.

41-vjeçari kishte luajtur me dhimbje të gjurit në fazat e fundit të sezonit të kaluar që t’u ndihmonte Rossonerëve ta fitonin titullin e Serie A pas më shumë se një dekade.

Menjëherë pas shpalljes kampion, sulmuesi veteran iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike në gju për ta zgjidhur problemin, kështu që nuk ka mundur të luajë për më shumë se gjysmë viti.

(Foto: Instagram/iamzlatanibrahimovic)

Calciomercato.com njofton se Ibrahimovic e ka kompletuar gjithë stërvitjen e sotme (e martë) me bashkëlojtarët e tij duke treguar shenja pozitive në Milanello.

Ai është duke u angazhuar që të kthehet në formë fizike që të mund të luajë, ashtu që mund të ftohet nga trajneri Stefano Pioli për ndeshjen e të premtes ndaj Torinos.

Kthimi i Zlatanit do t’i shërbente Milanit për ta kthyer motivimin dhe vetëbesimin, duke qenë se kanë regjistruar vetëm një fitore në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. /Telegrafi/