Kryetari i OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski, i është përgjigjur ndihmës-sekretarit shtetëror të SHBA-ve Wess Mitchell, i cili gjatë ditës së djeshme përmes një letre tha se SHBA-të janë të shqetësuara nga sjelljet e partisë opozitare maqedonase.
Mickoski thotë se procesi i negociatave me Greqinë ka qenë i fshehur dhe me lajme manipuluese, duke shtuar se përfaqësuesit e qeverisë bisedimet i kanë udhëhequr pa konsensus me opozitën, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Gjithë ky proces ka qenë me vlerësime të gabuara, shpresa të rrejshme dhe pritje të gabuara që fatkeqësisht kanë qenë prodhim i qeverisë, e cila ka mashtruar gjithë bashkësinë ndërkombëtare se do të përcjell diçka që nuk është e mundur të përcillet”, shkruan Mickoski.
Ai sekretarit amerikan më tej i thotë se marrëveshja me Greqinë është në dëm të interesave të kombit maqedonas dhe si e tillë është e papranueshme për OBRM-PDUKM-në.
“Vazhdojë dhe vërtetë nuk mund të besoj se si do të kontribuojë për stabilitet, paqe dhe siguri marrëveshja e cila: shumica e qytetarëve e refuzuan në referendum, me të cilën ndryshohet Kushtetuta dhe emri i shtetit, me të cilën anulohen të drejtat e Maqedonisë, e cila parasheh formim të Komisioneve mes dy shteteve për rishikim të historisë, arkeologjisë dhe arsimit, që në mënyrë sekrete dëmton vendin tim, me të cilën vendi tërhiqet nga pakicat maqedonase në vendet tjera dhe në të njëjtën kohë edhe nga diaspora maqedonase”, thotë Mickoski./Telegrafi/